Sllovaki – Kosovë, – Dardanët apel për të gjithë tifozët
Kombëtarja e Kosovës luan të enjten ndeshjen më të rëndësishme në histori, pasi përballet me Sllovakinë në “Play Off” të kualifikimit për Kampionatin Botëror 2026.
Kosova dhe Sllovakia përballen në Bratislavë, teksa tifozët tanë ‘Dardanët’ thonë se janë gati për ndeshjen e madhe, e interesimi është i jashtëzakonshëm.
Më poshtë keni apelin e vendtakimin e ‘Dardanëve’:“APEL PËR TË GJITHË TIFOZËT DARDANË 🇽🇰
Të enjten jemi shpresëplotë se kapitulli i historisë së lavdishme do të nisë nga Bratisllava për ekipin tonë dardan. Interesimi rrëqethës dhe marramendës për të marrë pjesë në këtë ndeshje na gëzon pa masë dhe bashkërisht, si ne në tribuna, ashtu edhe futbollistët në betejën e fushës së blertë, do të përpiqemi të dalim fitimtarë.
Si tifogrup, ju bëjmë me dije se kemi caktuar vendtakimin për të gjithë tifozët tanë, qofshin ata Dardanë të regjistruar, ata që kanë marrë bileta nga ne apo ata që kanë siguruar bileta në sektorë tjerë të stadiumit, pa dallim. Me pak fjalë, ju lusim, në mënyrë që të shmangim ekspozime të tepërta dhe të panevojshme në kryeqytetin sllovak, që nga ora 14:00 deri në ora 17:45 të takohemi në lokacionin në fjalë:
📍 Gelato Point, Laurinská 780/2, 811 01 Starë Mesto, Slovakia
Ju lutemi, ta shpërdani fjalën dhe të gjithë të vini në vendin e sipërpërmendur dhe kështu të qëndrojmë së bashku, të krijojmë atmosferë entuziaste dhe përkrahëse për djemtë tanë e më vonë, të marshojmë të gjithë së bashku drejt dyerve të stadiumit.
Të enjtën në Bratisllavë do të dëgjohet kushtrimi i popullit kosovar.
Besa-besë, si kaherë, ballëlartë e me betim me duar në zemër, për Kosovën, për Republikën si amanet i brezave që e ëndërruan dhe nuk arritën ta jetojnë”, shkruhet në postimin e tyre.



