Kelmendi “shpërthen” ndaj Ramosajt pasi doli kundër Lëvizjes së Deçanit: Deklarata të papranueshme!

Kelmendi “shpërthen” ndaj Ramosajt pasi doli kundër Lëvizjes së Deçanit: Deklarata të papranueshme!

Profesori Muhamet Kelmendi i ka reaguar ashpër kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj, pas deklaratave të këtij të fundit kundër “Lëvizjes së Deçanit”.

Kelmendi i cilësoi deklaratat e Ramosajt si të papërshtatshme, duke theksuar se kjo lëvizje synon mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe nuk është kundër fesë.

Ai paralajmëroi se institucionet duhet të tregojnë kujdes ndaj ideologjive që cenojnë identitetin kombëtar dhe kërkoi një qasje më të balancuar nga Ramosaj.

Reagimi i plotë në Facebook:

Pse z. Ramosaj?
Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Ramosaj, në një prononcim publik është shprehur me tone të ashpra kundër “Lëvizjes së Deçanit”, duke e cilësuar atë si një organizim që “nuk është as kombëtar, as shtetëror dhe nuk ka as din e as imam”.
Këto deklarata janë të forta dhe, në vlerësimin tim, jo të përshtatshme ndaj një lëvizjeje që, sipas qëndrimeve dhe veprimtarisë së saj, synon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare dhe shtetërore. Anëtarësia dhe udhëheqja e “Lëvizjes së Deçanit” janë të orientuara drejt ruajtjes së identitetit kombëtar dhe forcimit të vetëdijes shtetërore.
“Lëvizja e Deçanit” ka artikuluar qartë qëndrimin e saj kundër çdo veprimtarie që cenon interesat kombëtare. Në këtë kontekst, ajo ka ngritur shqetësimin për disa predikues fetarë, ideologjia e të cilëve, sipas saj, bie ndesh me vlerat kombëtare dhe rrezikon harmoninë dhe tolerancën tradicionale fetare në shoqërinë shqiptare.
Është me rëndësi të theksohet se kjo lëvizje nuk është kundër asnjë feje. Përkundrazi, ajo kundërshton depërtimin e ideologjive të huaja, qofshin ato me origjinë arabe apo turke, të cilat perceptohen si të papajtueshme me traditën dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Nëse ky qëndrim konsiderohet antikombëtar, atëherë shtrohet pyetja legjitime: çfarë përbën sot veprimtari të mirëfilltë kombëtare?
Mosreagimi ndaj qëndrimeve dhe aktiviteteve që vihen kundër flamurit kombëtar, gjuhës shqipe, traditave dhe kulturës shqiptare, nuk mund të konsiderohet i pranueshëm. Pikërisht këtyre dukurive u kundërvihet “Lëvizja e Deçanit”.
Qëllimi i saj mbetet ruajtja dhe promovimi i kulturës, gjuhës dhe traditave shqiptare. Ky mision nuk zbehet nga deklaratat kritike, pavarësisht nivelit të tyre institucional.
Sa më shumë që shtohen përpjekjet për asimilim kulturor dhe ideologjik, përmes elementeve të huaja dhe ideologjive jodemokratike, aq më i madh do të jetë reagimi shoqëror në mbrojtje të identitetit kombëtar. Ky është një zhvillim i natyrshëm.
Në këtë kontekst, pritet që edhe institucionet dhe përfaqësuesit e tyre, përfshirë z. Ramosaj, të mbajnë një qëndrim të qartë kundër çdo forme të veprimtarisë antikombëtare dhe ekstremizmit ideologjik.
Komuna e Deçanit paraqet një zonë me ndjeshmëri të veçantë, për shkak të rrethanave historike dhe politike. Çështje të tilla kërkojnë vëmendje të shtuar dhe trajtim të kujdesshëm institucional.
Mbrojtja e identitetit kombëtar dhe e vlerave shqiptare nuk është akt antikombëtar apo antishtetëror; përkundrazi, ajo përbën një detyrim qytetar dhe institucional.
Z. Ramosaj është një politikan me përvojë dhe formim të konsoliduar. Në këtë frymë, pritet reflektim dhe një qasje më e balancuar ndaj çështjeve me ndjeshmëri të lartë per kombin dhe shtetin.

Shpërndaje në: