Në Austri dje nafta gati sa në Kosovë, në Slloveni shumë më lirë, raportoi BBC
Shumë vende kanë përjetuar rritje të ndjeshme të çmimeve të karburantit.
Në Slloveni, kjo ka rezultuar në të ashtuquajturin “turizëm karburanti”, pasi drejtuesit e automjeteve nga vendet fqinje, veçanërisht Austria, përfitojnë nga çmimet më të ulëta, të rregulluara, raportoi mbrëmë BBC.
Sipas masave të reja, shoferët privatë në Slloveni do të kufizohen në një blerje maksimale prej 50 litrash karburant në ditë. Bizneset dhe fermerët kanë një kufi më të lartë prej 200 litrash.
Qeveria po i inkurajon shitësit e karburantit që të vendosin kufizime më të rrepta për shoferët e huaj.
Siç shkroi mbrëmë BBC, çmimi për një litër benzinë Euro-super 95 në Austri po i afrohet 1.80 eurove, ndërsa dizeli (nafta) është afër shifrës 2.00 euro – pra, gati po aq sa po kushton sot një litër naftë në Kosovë. Në Slloveni çmimi aktualisht mbahet në një maksimum prej 1.47 dhe 1.53 euro.
Disa sllovenë i shohin vizitorët si bezdi, duke shkaktuar radhë dhe mungesa për vendasit. Të tjerë, megjithatë, janë më mikpritës – duke vënë në dukje se një pjesë e mirë e “turistëve të karburantit” e kthejnë këtë në një ditë të plotë, duke ngrënë në restorante lokale dhe duke kaluar kohë në dyqane.
Të shfrytëzosh më të mirën e kësaj situate është ndoshta alternativa më e mirë. Sepse për sa kohë që dallimet në çmime vazhdojnë, “turistët e karburantit” do të vazhdojnë ta kalojnë kufirin.



