Florent Hadërgjonaj: Jemi të motivuar maksimalisht për këtë ndeshje historike

Florent Hadërgjonaj: Jemi të motivuar maksimalisht për këtë ndeshje historike

Kombëtarja e Kosovës në futboll, sot ka mbajtur seancën e radhës në prag të ndeshjes me Sllovakinë.

Sllovakët dhe Dardanët do të ballafaqohen të enjten mbrëma në Bratislavë, në gjysmëfinalen e pley-off-it për Kupën e Botës.

Futbollist i Kombëtares sonë, Florent Hadërgjonaj pas stërvitjes së sotëm, ka folur për duelin me Sllovakinë.

Sipas tij, ndeshja me Sllovakinë është sfidë historike për Kosovën. Hadergjonaj thotë se skuadra është e motivuar maksimalisht për fitore në përballje me sllovakët.

“Kjo ndeshje jo veç për mua, por për të gjithë futbollistët është historike, që ne të mund të arrijmë në finale dhe pastaj të mund të shkojmë në Botëror. Është e jashtëzakonshme. Jemi të motivuar maksimalisht dhe e kemi ndeshjen në fokus. Besoj që kemi atmosferë të mirë dhe kjo do të na ngritë më lartë”, ka thënë Hadërgjonaj.

Ai thotë se Botërori apo Evropiani është ëndërr një ëndërr për të.

“Për mua personalisht ka qenë një ëndërr si në Botëror a Evropian. E kemi pas shansin ndaj Maqedonisë për Evropian, tash na erdhi shansi prapë për Botëror. Është e jashtëzakonshme. E kemi merituar me lojën si ekip. Secili i ka meritat e veta. Për ne është fokusi vetëm të fitojmë gjysmëfinalen, e pastaj të shohim për finale”, ka theksuar ai.

Ndeshja Sllovaki-Kosovë nis në orën 20:45.

Shpërndaje në: