Juniku pastrohet nga mbetjet e luftës, Shehu: Një hap i madh drejt sigurisë dhe së ardhmes

Juniku pastrohet nga mbetjet e luftës, Shehu: Një hap i madh drejt sigurisë dhe së ardhmes

Komuna e Junikut ka shënuar një momente të rëndësishëm në historinë e saj të pasluftës, duke përmbyllur me sukses procesin e pastrimit të plotë të zonave të prekura nga mbetjet e rrezikshme të luftës.

Kryetari i komunës, Ruzhdi Shehu, në një njoftim publik e cilësoi këtë arritje si një hap jetik për sigurinë, mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve të Junikut, duke theksuar se një plagë e heshtur që kishte rrezikuar jetën e banorëve për vite me radhë tashmë i përket së kaluarës.

Procesi i çminimit dhe pastrimit është realizuar nga organizata ndërkombëtare HALO Trust, me mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicra, të cilët kanë luajtur një rol kyç në financimin dhe mbështetjen e këtij misioni humanitar.

Ky është njoftimi i plotë i Shehut:

Sot shënuam një moment të veçantë për komunën tonë, përmbylljen e një procesi jetik për sigurinë dhe të ardhmen e Junikut.

Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të organizatës HALO Trust dhe mbështetjen e çmuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zvicrës, arritëm të pastrojmë zonat e prekura nga mbetjet e luftës, një plagë e heshtur që për vite me radhë ka rrezikuar jetën e qytetarëve tanë.

Isha i nderuar që në këtë ngjarje të rëndësishme të kemi praninë e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë të ngarkuarën me punë të ambasadës Amerikane në Kosovë znj. Anu Pratipati dhe ambasadorin e Zvicrës në Kosovë z. Jürg Sprecher, si dhe shumë partnerë e bashkëpunëtorë që kontribuan në këtë arritje të madhe.

Sot, nga zonat kufitare në Bjeshkët e Junikut e deri në zemër të qytetit, hapësirat që dikur përbënin rrezik janë kthyer në vende të sigurta për jetën, zhvillimin dhe të ardhmen e komunitetit tonë.

Besoj fuqishëm se çdo hapësirë e pastruar është një hap më shumë drejt sigurisë, drejt besimit dhe drejt një të ardhmeje më të mirë për secilin qytetar të Junikut.

Junik më i sigurt sot, për një të ardhme më të ndritur nesër.

Shpërndaje në: