KEDS: Matësit e energjisë elektrike janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) rithekson përkushtimin e saj të plotë për të garantuar matje të sakta, të besueshme dhe transparente të konsumit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.
Të gjithë matësit e energjisë elektrike (njehsorët) kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare në momentin e instalimit të tyre, duke siguruar funksionim me saktësi maksimale. Sistemet e matjes janë të dizajnuara në mënyrë që çdo konsumator të përfitojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga aplikimi i tarifave, përfshirë tarifat e ulëta, sipas përcaktimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Sinkronizimi i orës në njehsorë është realizuar me një nivel të lartë precizioni, duke garantuar që të gjithë konsumatorët kalojnë në tarifën e ulët në të njëjtën kohë në përputhje të plotë me rregullat dhe standardet në fuqi.
Në raste të izoluara, mund të ndodhin devijime të vogla për arsye teknike, por edhe në këto raste kohëzgjatja e përfitimit me tarifë të ulët dhe të lartë është e saktë. Pasiqë kohëzgjatja është e matjeve tarifore është e saktë, por ka ndonjë shpërputhje kohore, KEDS reagon menjëherë ndaj çdo ankese apo vërejtjeje nga konsumatorët. Ekipet tona teknike verifikojnë situatën në terren dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për zgjidhjen e shpejtë dhe profesionale të çdo problemi.
Prandaj ne kërkojmë nga Partitë politike dhe të gjitha palët tjera që të përmbahen nga deklaratat e pa verifikuara që nuk përkojnë me realitetin.
Në kuadër të modernizimit të rrjetit, KEDS është në proces të vazhdueshëm të zëvendësimit të njehsorëve të vjetër me njehsorë të rinj digjitalë, të cilët ofrojnë saktësi të lartë në matje. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë instaluar mbi 130 mijë njehsorë të rinj digjitalë. Ndërrimi i njëhsorëve bëhet pikërisht që të sigurohemi që matja të vazhdojë të jetë e saktë.
Kosova është një nga vendet lidere sa i përket digjitalizimit të njehsorëve. KEDS mbetet e përkushtuar të rrisë më tej këtë dinamikë investimi, në përputhje me kornizën rregullative. Fatkeqësisht, ka kufizime të përcaktuara nga rregullatori.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje partive politike që të shmangin politizimin e kësaj çështjeje apo përdorimin e saj për përfitime politike.
Si Operator i Sistemit të Shpërndarjes, KEDS garanton se të gjitha proceset e matjes kryhen në përputhje me legjislacionin primar dhe sekondar në fuqi, duke ruajtur standardet më të larta të korrektësisë, transparencës dhe besueshmërisë.



