Statistikë interesante – Kur Muriqi e ka shiritin e kapitenit, Kosova nuk humb
Prej që Vedat Muriqi mori shiritin e kapitenit, në mungesë të Amir Rrahmanit që mungoi për disa ndeshje me Dardanët, Kosova nuk ka humbur asnjë ndeshje.
Në gjashtë ndeshje, Dardanët nën drejtimin e sulmuesit mbajnë një rekord prej pesë fitoreve dhe një barazimi.
Këtë nuk e dinte Muriqi, i cili u ballafaqua me faktin vetëm në konferencën për shtyp në Bratisllavë të mërkurën.
“E pranoj që nuk e dija këtë statistikë, por jam shumë i lumtur për të. Sigurisht, do të isha shumë i lumtur nëse do të mund ta vazhdonim këtë”, tha Muriqi. “Sigurisht që do të isha i lumtur nëse do të mund të fitonim ndeshjen tonë të gjashtë nën drejtimin tim. Shpresoj ta bëjmë këtë. Por kjo nuk ka të bëjë fare me arritjet e mia individuale.”
“Ekipi është i pari. Kjo është arsyeja pse nuk shqetësohem fare nëse shënoj apo jo në një ndeshje. E vetmja gjë që më intereson është që në fund të ditës Kosova të jetë e suksesshme.”
Në konferencën për shtyp në prag të sfidës ndaj Sllovakisë, sulmuesi shtatlartë foli edhe për shokun e tij të skuadrës te Mallorca, qendërmbrojtësin Martin Valjent, të cilin do ta ketë rival të enjten.
“Martini është një nga miqët e mi më të afërt në klub dhe kështu ka qenë që nga dita e parë që shkova në Mallorca. Kemi qenë të afërt që nga fillimi. Sigurisht, kemi folur për këtë ndeshje që kur u hodh shorti. Shpesh kemi bërë shaka për këtë ndeshje”, u shpreh Muriqi.
“Martini është një person që më ka mbështetur gjithmonë dhe më ka qëndruar pranë. Para së gjithash, ai është një futbollist i shkëlqyer që e do vendin e tij. Qëllimi i tij do të jetë ta bëjë Sllovakinë të suksesshme”.
“Nuk e kam asnjë ide nëse ai [Martini] do të luajë, por shpresoj. Nëse luan, mund të prisni disa duele interesante mes nesh. Ashtu siç ai do të dëshirojë fitoren e Sllovakisë, unë do të dëshiroj fitoren e Kosovës”, tha Muriqi.



