Gjini për Presidentin: S’kemi votë për emrat që janë në tavolinë
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka folur pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, duke thënë se nuk kanë votë për emrat që janë në tavolinë.
Ai u shpreh se nuk ka vullnet nga partia më e madhe për ta përmbyllur këtë proces pa zgjedhje nacionale.
“Ajo që e kemi thënë deri tash është se këta emra që janë deri tash në tavolinë, nuk kemi votë. Të tjerat edhe një herë duhet t’i shohim bashkë, mirëpo nuk po besoj që po ekziston një atmosferë dhe një vullnet nga partia më e madhe që në mënyrë të sinqertë dhe serioze të provojë ta përmbyllë këtë proces pa zgjedhje nacionale”, tha ai.
Gjini u shpreh se ajo çka po bën partia e parë është qe po përgatit terren për t’i akuzuar të tjerët për dështimin e mundshëm.
“Ne nuk po e shohim, unë nuk po e shoh. E gjithë ajo që po ndodh sot është për të përgatitur terren për t’i akuzuar të tjerët për dështimin e mundshëm, shumë të mundshëm për zgjedhjen e presidentit. Gjithçka çka po ndodh, edhe fjalori që po përdoret, e ka një qëllim, vetëm për të përgatitur terren për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër. Nuk shoh fare sinqeritet dhe vullnet për të arritur konsensus me partitë opozitare, duke na përfshirë neve, për t’a zgjidhur këtë çështje”, tha Gjini



