Mbretëria e Bashkuar paralajmëron: NATO duhet të jetë gati pa Amerikën
Britania e Madhe dhe aleatët evropianë të NATO duhet të përgatiten për një skenar ku ShBA mund të mos i mbrojë në rast krize, ka paralajmëruar një komitet i përbashkët parlamentar.
Raporti vjen në sfondin e tensioneve me administratën e presidentit Donald Trump dhe pasigurive mbi përkushtimin amerikan ndaj mbrojtjes kolektive, shkruan SkyNews, transmeton Klankosova.tv.
Komiteti thekson se Londra duhet të zvogëlojë varësinë nga ShBA në fusha kyçe si armët bërthamore Trident, shkëmbimi i inteligjencës dhe programet ushtarake si avionët F-35 Lightning II.
Ai gjithashtu rekomandon forcimin e rolit të Evropës brenda NATO-s dhe investime më të mëdha në kapacitete mbrojtëse.
Deklaratat e fundit të Trump, ku kritikoi aleatët dhe vuri në dyshim rëndësinë e NATO-s, kanë shtuar shqetësimet se mbështetja amerikane sipas nenit 5 nuk është më e garantuar.
Ekspertët paralajmërojnë se një NATO pa ShBA do të ishte dukshëm më pak e aftë ushtarakisht, duke e bërë të domosdoshme rritjen e autonomisë strategjike evropiane.



