Haxhiu: Për zgjedhjen e presidentit duhen diskutime serioze, seanca e 5 marsit ishte e ndërprerë, jo e mbyllur
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se procesi për zgjedhjen e presidentit të vendit kërkon diskutime të thella dhe të përgjegjshme ndërmjet grupeve parlamentare.
Ajo ka sqaruar se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur, por vetëm është ndërprerë,.
“Unë mendoj që kjo çështje i takon niveleve dhe grupeve parlamentare, diskutimeve që do të bëhen në këtë drejtim,” tha Haxhiu, duke theksuar se vendimi për vazhdimin e seancës do të merret kur të krijohen kushtet e duhura.
“Pra unë nuk e kam mbyllur seancën, unë e kam ndërprerë atë… Deri atëherë nevojiten diskutime serioze, jo vetëm procedurale, por të vërteta nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin.”, tha ajo.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që të gjitha subjektet politike të kontribuojnë në mënyrë reale dhe serioze. Sipas saj, Vetëvendosje, me 66 deputetë, nuk ka numrin e nevojshëm për të zgjedhur presidentin në dy raundet e para, ku kërkohen të paktën 80 vota.
“Mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, sepse qytetarët kanë folur dhe mesazhi i tyre është i qartë,” shtoi Haxhiu.
Përveç çështjes së zgjedhjes së presidentit, Haxhiu foli edhe për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të thirrur për të hënën. Ajo bëri të ditur se do të trajtohen shumë projektligje, përfshirë ato që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare.
“Së pari kemi shumë tema të rëndësishme që ndërlidhen me interesat e qytetarëve dhe vetë Republikës së Kosovës. Orientimi ynë duhet të jetë në dy drejtime: adresimi i përgjegjësive ligjore dhe përpjekja për arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit apo presidentes,” deklaroi Haxhiu, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Kuvendit në të dy këto çështje.



