Agim Bahtiri i drejtohet me një letër familjes Jashari: Na duhet një kandidat për President nga ju

Agim Bahtiri i drejtohet me një letër familjes Jashari: Na duhet një kandidat për President nga ju
Deputeti i VV’së, Agim Bahtiri, i është drejtuar familjes Jashari me një letër për çështjen e Presidentit, pavarësisht se nga të njëjtit kanë marrë përgjigje negative pak kohë më parë, shkruan Periskopi.
Bahtiri në letrën e tij, ka shkruar se “Kosovës i duhet një JASHAR në krye të shtetit; njerëz të fjalës, të besës dhe qëndresës”.
“Ju kërkojmë që, ashtu siç i bëtë nderin më të madh historisë duke i dhënë lirinë, t’i bëni sot nderin e radhës Republikës duke ofruar një kandidat nga familja juaj për President të Republikës së Kosovës. Ju jeni e vetmja alternativë që mund të shërojë këtë ngërç, të kthejë dinjitetin në Presidencë dhe të bashkojë popullin rreth një figure që nuk e ndan, por e lartëson Kosovën”, shkruan Bahtiri.
Postimi i plotë:
LETËR E HAPUR PËR FAMILJEN JASHARI
Të nderuar trashëgimtarë të familjes së Shaban Jasharit,
E nderuara Familje Emblematike e kombit tonë,
Po ju drejtohem me këtë letër të hapur, jo vetëm si deputet i zgjedhur i popullit, por si një qytetar që ndjen peshën e rëndë të përgjegjësisë para historisë dhe të ardhmes. Kosova sot gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm. Që nga fillimi i vitit 2025, vendi ynë është zhytur në një rrethanë të palakmueshme që po godet themelet e shtetësisë sonë:
• Vakumi Kushtetues: Me përfundimin e mandatit të Presidentes Osmani më 4 prill, vendi po mbetet pa kryefjalën e unitetit. Ky nuk është thjesht një tranzicion ligjor, por një rrezik për bllokim total të institucioneve.
• Ngërçi Diplomatik: Kosova po përballet me një izolim të heshtur dhe presione të paprecedenta që po cenojnë sovranitetin tonë.
• Plagët Ekonomike dhe Migrimi: Pasiguria politike ka prodhuar një rënie të besimit, duke nxitur largimin e rinisë, motorit të këtij vendi që familja juaj e shenjtë e çliroi me gjak.
• Polarizimi i Skajshëm: Skena jonë politike është ndarë në taborre që shpesh harrojnë interesin kombëtar përballë atij partiak.
Në këtë terr politik, sytë e popullit kthehen natyrshëm drejt Prekazit. Kur institucionet lëkunden, themelet janë ato që na mbajnë në këmbë. Familja Jashari nuk është thjesht një emër; është vetë institucioni i moralit, i sakrificës dhe i unitetit të pakontestueshëm shqiptar; është institucion i besueshmërisë e kurrë i tradhëtisë.
Prandaj, sot, me përulësinë më të madhe dhe me bindjen më të lartë atdhetare, ju bëj thirrje: Kosovës i duhet një JASHAR🇽🇰 në krye të shtetit; njerëz të fjalës, të besës dhe qëndresës.
Ju kërkojmë që, ashtu siç i bëtë nderin më të madh historisë duke i dhënë lirinë, t’i bëni sot nderin e radhës Republikës duke ofruar një kandidat nga familja juaj për President të Republikës së Kosovës. Ju jeni e vetmja alternativë që mund të shërojë këtë ngërç, të kthejë dinjitetin në Presidencë dhe të bashkojë popullin rreth një figure që nuk e ndan, por e lartëson Kosovën.
Në këto kohë rrethimesh moderne, na duhet dikush që fjalën e ka burrërore dhe veprën atdhetare. Prania juaj në krye të shtetit do të ishte garancia më e madhe për aleatët tanë dhe mesazhi më i qartë për armiqtë tanë se Kosova është e pathyeshme.
Me respektin dhe nderimin më të lartë,
Agim Bahtiri
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Shpërndaje në: