Ikona e futbollit turk, Riza Calimbay: Kosova shumë e fortë, Turqia nuk do ta ketë të lehtë

Ikona e futbollit turk, Riza Calimbay: Kosova shumë e fortë, Turqia nuk do ta ketë të lehtë

Me mbi 600 ndeshje të drejtuara në Superligën e Turqisë, Riza Calimbay mban rekordin si trajneri me më së shumti paraqitje në bankinë në histori të kampionatit turk.

Si lojtar, ai gjithashtu zhvilloi një reputacion të madh, duke numëruar mbi 500 paraqitje dhe tetë trofe të fituar, kryesisht me fanellën e Besiktasit.

Në një intervistë për Telegrafin, Calimbay ka folur për forcën dhe cilësinë e Kosovës, rëndësinë që ka kjo ndeshje për të dyja kombëtaret dhe se cilët faktorë mund ta vendosin këtë ndeshje.

Calimbay e nis duke paralajmëruar Turqinë se Kosova është një skuadër shumë më e mirë dhe më cilësore sesa Rumania.

“Kosova është një skuadër shumë më e organizuar dhe më cilësore sesa Rumania. Për këtë arsye, ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë për Turqinë, përkundrazi, do të jetë shumë e vështirë, sidomos nëse luhet në transfertë. Nëse Kosova nënvlerësohet si një ekip i vogël, atëherë kjo mund të sjellë pasoja negative për Turqinë”, ka thënë fillimisht Calimba.

Faktin se Kosova këtë ndeshje do ta luajë para shikuesve të vet, Calimbay e sheh si një përparësi tejet të madhe.

“Është fakt që Kosova ka lojtarë shumë të talentuar, madje disa prej tyre luajnë në kampionate evropiane. Kjo e rrit edhe më shumë nivelin e skuadrës. Për më tepër, për Kosovën, mundësia për t’u kualifikuar në Kupën e Botës është jashtëzakonisht e rëndësishme. Duke luajtur në shtëpi, përpara tifozëve të vet, ata do të japin maksimumin”.

“Përkrahja nga tifozët pritet të jetë shumë e madhe. E dimë që shumë shqiptarë dhe tifozë nga diaspora do të jenë të pranishëm, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme. Kjo ndeshje mund të marrë përmasa të një finaleje të vërtetë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet konsideruar si e lehtë”.

Ish-trajneri i Besiktasit tregon se cili faktor mund të jetë përcaktues për ta vendosur fituesin e kësaj përballjeje.

“Ndryshe nga Rumania, Turqia këtë herë do të përballet me një kundërshtar më të fortë. Prandaj, duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme. Sipas meje, është një ndeshje e balancuar dhe kërkon përqendrim maksimal nga të dyja ekipet. Do të jetë një sfidë shumë e vështirë për të dy palët”.

“Sigurisht që Kosova ka lojtarë të mirë si Vedat Muriqi, Hadergjonaj dhe Fisnik Asllani. Ka të paktën katër apo pesë futbollistë shumë cilësorë që duhen pasur në konsideratë”.

“Kjo do ta bëjë ndeshjen të vështirë për të dy ekipet. Të dyja skuadrat duhet të jenë të kujdesshme si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”.

“Kosova ka lojtarë shumë të rrezikshëm, sidomos në repartin ofensiv. Për këtë arsye, mbrojtja e Turqisë duhet të jetë jashtëzakonisht e vëmendshme gjatë gjithë ndeshjes”, tha 63-vjeçari.

Për fund, Calimbay shprehu mirënjohjen dhe respektin që ka për Kosovën, duke thënë se bashkëpunimi mes të dyja shteteve në aspektin sportiv duhet të harmonizohet edhe më shumë.

“Kosova është shumë afër nesh, një vend që e duam shumë. Duhet që gjithmonë të kemi marrëdhënie të ngushta në aspektin futbollistik, të bashkëpunojmë më shumë, të marrim lojtarë dhe trajnerë nga njëri-tjetri dhe të bëjmë gjëra të bukura së bashku”, përfundoi ai.

Kujtojmë se ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë do të luhet të martën mbrëma me fillim nga ora 20:45./Periskopi

Shpërndaje në: