Cakolli: Presidentja sa më parë ta përmbyllë kompletimin e përbërjes së KQZ-së

Cakolli: Presidentja sa më parë ta përmbyllë kompletimin e përbërjes së KQZ-së

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se ishte e pritshme që Gjykata Kushtetuese ta shpallte të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani lidhur me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Me këtë, kjo temë bëhet ndër më të trajtuarat nga Gjykata dhe nuk lë hapësirë për dilema të reja artificiale. Kjo e mbyll edhe një herë tentimin për ta kthyer këtë në dilemë kushtetuese. Rregullat që ekzistojnë dhe janë zbatuar edhe në situata identike në të kaluarën duhet të zbatohen sërish njëjtë. Ideja që KQZ-ja duhet të pasqyrojë raportin e mandateve sikur Kuvendi është e gabuar dhe në shpërputhje me dizajnin kushtetues të vet institucionit. KQZ nuk është miniaturë e Kuvendit që riprodhon raportin e forcave politike. Për këtë arsye, përbërja e saj nuk është ndërtuar për të reflektuar dominimin e një subjekti, por për të ruajtur një ekuilibër që e mban procesin zgjedhor të besueshëm”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ai i ka bërë thirrje presidentes që ta përmbyllë sa më parë kompletimin e përbërjes 11 anëtarëshe të KQZ-së.

“Prandaj, Presidentja duhet ta përmbyllë sa më parë kompletimin e përbërjes kushtetuese prej 11 anëtarësh të KQZ-së, duke e emëruar anëtarin e mbetur nga radhët e subjektit tjetër politik me të drejtë nominimi”, ka shkruar Cakolli.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për sqarimin lidhur me çështjen e emërtimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Osmani kishte kërkuar vlerësim të të “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese”, përkatësisht në mes saj dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Kosovës” në.

Ajo po ashtu kishte kërkuar nga Kudshtetuesja të vendosë masë të përkohshme në zbatimin e afateve ligjore lidhur me fillimin e mandatit të një anëtari të KQZ-së, që nuk ishte emëruar për shkak të paqartësive kushtetuese.

Kushtetuesja ka shpallur kërkesën e Osmanit të papranueshme. Ka refuzuar edhe kërkesën për masën e përkohshme.

Dilema kushtetuese, siç kishte thënë kabineti i presidentes Osmani, është për shkak se partitë kanë bërë më shumë propozime sesa që parasheh Kushtetuta.

 

 

 

Shpërndaje në: