Tifo-grupi “Dardanët” ka shprehur keqardhje të thellë për dështimin në sigurimin e biletave për të gjithë të interesuarit për finalen historike të Kombëtares së Kosovës ndaj Turqisë.
Në një postim publik, ata kërkuan falje për pamundësinë e përmbushjes së kërkesave, pasi numri i kërkesave për bileta ka tejkaluar çdo pritshmëri.
“Dardanët” theksuan se kërkesa për bileta ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe se kapacitetet e tribunave që ata mbulojnë nuk mund të zgjidhin të gjitha kërkesat. Ata apeluan për mirëkuptim dhe besim, duke siguruar tifozët se janë munduar maksimalisht për të realizuar këtë organizim.
Postimi i plotë:
Ndjejmë keqardhje të thellë që nuk kemi arritur t’u përgjigjemi të gjithë të interesuarve për t’u pajisur me bileta për finalen e madhe Kosovë – Turqi. Kërkojmë sinqerisht falje që nuk kemi mundur t’i përmbushim të gjitha kërkesat e panumërta, me mijëra të tilla, që tejkaluan çdo pritshmëri të imagjinueshme.
Kjo kërkimfalje është e ndier, sepse na vjen keq për secilin prej jush që shprehu dëshirën për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhore për vendin tonë, por që, fatkeqësisht, nuk do të mund të jetë i pranishëm. Megjithatë, ky është kapaciteti i sektorit të tribunave që mbulojmë ne; nuk kemi mundësi as ta zgjerojmë dhe as të bëjmë të pamundurën. Ju lutemi për mirëkuptim dhe besim se, brenda përgjegjësive tona, kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë maksimumin.
U bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë atyre që kanë paguar anëtarësimin vjetor të qëndrojnë të qetë, pasi biletat i kanë të garantuara. Sot, duke filluar nga ora 17:30, mjafton të paraqiten te Fan Club-i ynë me kartelën e anëtarësimit vjetor. Vetëm në këtë mënyrë, Policia e Kosovës do të lejojë hyrjen në ambientet e Fan Club-it, ku më pas do të bëhet edhe tërheqja e biletës.
Prandaj, nuk është e nevojshme që ju, posedues të këtyre kartelave, të krijoni tollovi apo situata kaotike, pasi gjithçka është e organizuar për të rrjedhur sipas planit.
Gjithashtu, nëse dikush mendon se misioni përfundon me ardhjen në stadium, gabon rëndë. Sot, përgjegjësinë për mbarëvajtjen e ndeshjes duhet ta ndiejmë të gjithë, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në mbështetjen e pakursyer ndaj ekipit tonë kombëtar. Duhet të motivojmë dhe të shtyjmë përpara futbollistët tanë drejt suksesit kulminant.
Secili prej nesh duhet të japë më shumë se në ndeshjet e kaluara. Secili duhet të ndihet i përfshirë dhe të kontribuojë me kapacitetet e veta në organizim. Secili duhet të ngjitet në shkallët e stadiumit me vendosmëri dhe energji të pashtershme. Secili duhet të mbajë mbi vete përgjegjësinë e përbashkët për ta jetësuar ëndrrën tonë. Secili duhet të jetë aktiv, jo pasiv.
Dhe, mbi të gjitha, sot secili duhet të vishet me ngjyrat e Kosovës: me shall, bluza apo duksa kombëtare.
Me besim në Zot dhe me besën shqiptare, sot toka dhe qielli do të ushtojnë nga stuhia dardane!
Çdo zemër dhe mendje e pastër shqiptari bashkëndien dhe frymon me futbollistët e artë të Kombëtares së Kosovës në këto orë vendimtare. Lutjet dhe uratat tona janë vetëm për ta.