Afati për deklarimin e pasurisë drejt fundit: 271 zyrtarë publikë ende nuk e kanë nisur procesin

Afati për deklarimin e pasurisë drejt fundit: 271 zyrtarë publikë ende nuk e kanë nisur procesin

Sot në ora 23:59, saktësisht pas pesë orësh përfundon afati për të deklaruar pasurinë e tyre. Ky proces i cili mbahet çdo vit, ka filluar me 1 mars dhe përfundon sot me 31 mars.
Ndonëse afati po shkon drejt fundit, ka ende zyrtarë publikë që nuk e kanë kryer obligimin e tyre ligjor.

Siç ka njoftuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit përmes një komunikate për media, deri në orën 16:00, 9 mijë e 825 zyrtarë publikë apo gjithsej 94.73% të zyrtarëve publikë e kanë përfunduar deklarimin.

Sipas APK-së, 276 zyrtarë publikë apo 2,66% prej tyre e kanë filluar dhe janë në proces ndërsa 271 sosh apo 2,61% nuk e kanë filluar ende këtë deklarim.

“Nga gjithsej 10,372 zyrtarë të obliguar, një numër i zyrtarëve ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim, ndërsa koha për veprim po shkurtohet me çdo orë”, ka thënë APK.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj ka rikujtuar se çdo mosveprim brenda këtij afati sjell pasoja të drejtpërdrejta ligjore, përfshirë shqiptimin e gjobave dhe inicimin e procedurave të mëtejme.

“Deklarimi nuk është opsion, por obligim ligjor dhe përgjegjësi ndaj publikut. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin pa asnjë vonesë. Mosrespektimi i afatit sjell pasoja ligjore. Koha po mbaron – veproni tani”, potencoi Buleshkaj.

APK ka njoftuar se ekipet përkatëse janë në dispozicion për kujdestari, mbështetje teknike dhe sqarime të nevojshme deri në përmbyllje të afatit, megjithatë thekson se përgjegjësia për deklarim në kohë mbetet individuale dhe e pa transferueshme për secilin zyrtar publik.

Pas përfundimit të afatit sot, nuk do të ketë afat tjetër që zyrtarët publikë të deklarojnë pasurinë. Nëse atë nuk e kryejnë në afat, zyrtarët publikë do të përballen me pasoja ligjore.

“Pas përfundimit të afatit, Agjencia, në përputhje me kompetencat ligjore, do të ndërmarrë veprimet përkatëse ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin, duke përfshirë shqiptimin e gjobave për vonesë në deklarim, të cilat janë në vlerë prej 30% të pagës mujore”, ka thënë dje APK për lajmi.net.

Shpërndaje në: