“Beteja” e LVV`së dhe PDK-së për një anëtar në KQZ
Presidentja Vjosa Osmani ende nuk ka vepruar sa i përket emërimit të anëtarit të dhjetë në KQZ, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli të papranueshme kërkesën e saj për sqarim lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së. Gjykata ka thënë se kompetenca e presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin për zgjedhje. Të pyetur se kur do të veprojnë për emërimin e anëtarit të dhjetë në KQZ, Presidenca nuk dha ndonjë përgjigje. Osmani i ishte drejtuar Kushtetueses me kërkesën për sqarim pasi partia në pushtet i ka kërkuar tre anëtarë.
Në Lëvizjen Vetëvendosje insistojnë që anëtari i tretë në KQZ u takon atyre teksa nuk e përjashtojnë mundësinë e ankesës në Kushtetuese nëse ndodh e kundërta.
“Argumentet tona qartazi janë të mbështetura me ligj dhe se anëtari i tretë në KQZ na takon neve marrë parasysh edhe rezultatin që kemi marrë në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Prandaj fuqia politike duhet të reflektojë në përbërjen e KQZ-së dhe kjo është baza në krejt ata që kemi argumentuar konform pozicionit tonë, andaj kërkojmë nga presidentja që të reflektojë karshi kësaj kërkese….Nuk përjashtohet as kjo mundësi (që të ankohemi në Kushtetuese) ne do të mbrojmë të drejtën tonë dhe do të mbrojmë votën e qytetarëve pa marrë parasysh si manifestohet ajo”, tha Artan Abrashi nga Vetëvendosje për rtv21.
Në PDK ndërkaq thonë se ndarja e mandateve në KQZ është më se e qartë dhe i kanë bërë thirrje presidentes që pa humbur kohë ta emërojë anëtarin e dytë të kësaj partie në KQZ, Rashit Qalaj.
“Kërkesa e presidentes Osmani ka qenë e panevojshme, në vitin 2021 për njëjtën çështje i është drejtuar gjykatës dhe ka pasur përgjigje si dhe ka qenë e panevojshme edhe për shkak të konfigurimit të kuvendit i cili përafërsisht ngjashëm si 2021 VV kishte 58 sot 57 PDK kishte 19 sot ka 22 edhe Osmani në atë kohë na kishte dhënë dy mandate neve dy VV-së ashtu siç e thotë edhe kushtetuta. Ne presim qe ajo sa më shpejtë ta emëroj anëtarin PDK z. Qalaj i cili i plotëson të gjitha kriteret…Nëse shikojmë praktikën deri më tani dhe lexojmë kushetutën drejt, mandati i takon PDK-së. Nuk ndahen mandatet në baza të asaj se sa mandate ke në Kuvend por ndahen duke marrë për bazë nenin 139 kushtetutës dhe Ligjin për zgjedhjet dhe presim që znj Osmani, i bëjmë thirrje që sot pa humbur kohë ta emëroj anëtarin e PDK-së”, tha Betim Gjoshi nga PDK-ja.
KQZ ka gjithsej dhjetë anëtarë dhe kryetarin e saj. Të premten e kaluar nëntë anëtarë të rinj të KQZ-së bënë betimin para presidentes Vjosa Osmani.
Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se emërimi i anëtarit të dhjetë në KQZ duhet të bëhet sa më parë nga Osmani. Sipas Florent Spahijajt ky anëtari i takon PDK-së.
“Presidentja besoj e ka ditë sepse ka pas vendime te gjykatës për këtë çështje presidentja duhet të veprojë ashtu siç udhëzon kushtetuta dhe ligji sepse s’ka mundësi tjetër Është e qartë se shkon si pas radhës VV ka mare dy partia tjetër i pasoj me personin tjetër është e rregullime kjo s’ka bazë për interpretim të mëtutjeshëm. Emërimi duhet të bëhet menjëherë s’kemi nevoje me prit…”, tha Spahija.
Ish-anëtari i KQZ-së Fadil Maloku ndërkaq thotë se pretendimet e PDK-së mbetën vetëm çështje e interpretimit politik përderisa si thekson nuk ka një vendim të qartë të kushtetueses se kujt i takon edhe një anëtarë në KQZ.
“Aktgjykimi i gjykatës nuk është një lloj vendimi meritor sepse s’propozohet as për as jo është thjesht një lloj refuzimi procedural
Nuk është futur fare në emërim. Nëse i adresoheni ligjit zgjedhor thotë që KQZ përbehet nga përfaqësuesit e subjekteve politike te cilët ndarja behet sipas peshës parlamentare apo te themi një parimi proporcional te subjektit. PDK mund të pretendojë për anëtarin dytë në bazë të rezultatit zgjedhor bazë parimit…. pa një vendim qartë të kushtetutës kjo mbetet vetëm çështje e interpretimit politik”, tha Maloku.
Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.



