Zbulohet mall i padeklaruar me vlerë mbi 26 mijë euro në Ferizaj

Zbulohet mall i padeklaruar me vlerë mbi 26 mijë euro në Ferizaj

Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të tentimit për futje të mallrave të padeklaruara në zyrën doganore të brendshme në Ferizaj, gjatë një kontrolli rutinë.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të një mauneje që ishte në procedurë doganore, një person fizik, shtetas i huaj, është vërejtur duke nxjerrë dy pako nga kabina e mjetit transportues. Ky veprim ka ngritur dyshime tek zyrtarët doganorë, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të kryer kontroll të detajuar.

Pas kontrollit fizik të pakove, është konstatuar se ato përmbanin gjithsej 896 copë produkte të llojit “MOSPORT 500”, të cilat përdoren për trajtime mjekësore.

Gjatë verifikimeve shtesë, autoritetet kanë bërë të ditur se plumbat doganorë dhe litari sigurues i mjetit nuk kishin pësuar dëmtime, ndërsa mjeti kishte qenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme doganore.

Vlera e përgjithshme e mallit të padeklaruar është vlerësuar rreth 26,700.80 euro.

Dogana e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë ndalimin e përkohshëm të mallit dhe procedimin e mëtejmë të rastit në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Autoritetet doganore theksojnë se mbeten të përkushtuara në luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe në mbrojtjen e shëndetit publik, duke parandaluar futjen në treg të produkteve të padeklaruara dhe potencialisht të rrezikshme.

 

Shpërndaje në: