Klubi i njohur gjerman shkruan për Franco Fodën dhe arritjet e tij me Kosovën

Klubi i njohur gjerman shkruan për Franco Fodën dhe arritjet e tij me Kosovën

Klubi gjerman Bayer Leverkusen i ka kushtuar një shkrim të veçantë trajnerit të Kosovës, Franco Foda, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së tij, duke rikujtuar karrierën e pasur si futbollist dhe trajner.

Foda, i lindur më 23 prill 1966 në Mainz, ka bërë emër në futbollin gjerman që në moshë të re, duke debutuar në Bundesliga në vitin 1983.

Ai ishte pjesë e disa skuadrave të njohura, por një kapitull i rëndësishëm i karrierës së tij lidhet pikërisht me Bayer Leverkusenin, ku zhvilloi 140 ndeshje dhe shënoi 10 gola.

Me këtë klub, ai arriti një nga sukseset më të mëdha si lojtar, duke fituar Kupën e Gjermanisë në vitin 1993 si kapiten i ekipit. Gjatë karrierës së tij, ai fitoi të njëjtin trofe edhe me FC Kaiserslautern dhe më pas me VfB Stuttgart.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Foda ndërtoi një profil të fortë si trajner, veçanërisht me Sturm Graz, me të cilin fitoi titullin kampion në Austri. Ai drejtoi gjithashtu Austrinë, duke e çuar në një sukses historik në Euro 2020, ku arriti për herë të parë në fazën e 1/8 së finales.

Në shkrimin e tij, Bayer Leverkusen ka vlerësuar edhe punën e Fodës me Kosovën. Që nga viti 2024, ai është në krye të “Dardanëve”, duke ndërtuar një ekip konkurrues dhe të organizuar, që arriti deri në finalen e play-offit për Kupën e Botës 2026.

Paraqitjet e Kosovës nën drejtimin e tij janë cilësuar si dëshmi e rritjes së vazhdueshme të ekipit, ndërsa Foda vazhdon të mbetet një figurë e respektuar në futbollin evropian.

Klubi gjerman në fund i ka uruar trajnerit shëndet dhe suksese në karrierën e tij të mëtejshme.

Shpërndaje në: