PDK, LDK e AAK bëhen bashkë, kërkojnë mbledhje urgjente të Komisionit për Vlerat e Luftës

PDK, LDK e AAK bëhen bashkë, kërkojnë mbledhje urgjente të Komisionit për Vlerat e Luftës

Tri partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thirrur urgjent mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.

Për këtë, këto parti i kanë dërguar kërkesë kryetares së këtij komisioni, Fatmire Mullhaxha Kollçaku.

Pas kësaj, deputeti i PDK-së, Artan Behrami ka njoftuar se mbledhja e këtij komisioni do të mbahet të premten, me fillim nga ora 10:00.

“Në vitet e fundit, Kosova po përballet gjithnjë e më shpesh me tendenca për rishkrim dhe deformim të së vërtetës historike, përmes interpretimeve që shtrembërojnë ngjarje të rëndësishme dhe krijojnë narrativa që bien ndesh me realitetin e dokumentuar.”, ka thënë Behrami.

Në kërkesën e dërguar, kërkohet që të sqarohen procedurat e ndjekura për miratimin, financimin dhe promovimin e skepozitës në shesh për masakrat në Kosovë, të vlerësohet përgjegjësia institucionale dhe individuale për përmbajtjen e saj, të trajtohen shqetësimet publike dhe të parandalohet deformimi i narrativës së luftës çlirimitare, e të tjera.

Ndryshe, edhe gjatë seancës së Kuvendit, PDK-ja kishte propozuar një rezolutë për mborjtjen e vlerave të luftës, por pasi që VV-ja s’kishte pranuar të vendosej si pikë e parë e rendit të ditës, deputetët e subjektit që udhëhiqet nga Bedri Hamza, e lëshuan sallën.

Shpërndaje në: