Kaloi një javë, Macron nuk e përmendi fare takimin me Kurtin

Kaloi një javë, Macron nuk e përmendi fare takimin me Kurtin

Kaloi më shumë se një javë që nga e premtja e 27 marsit kur presidenti i Francës, Emanuel Macron, e priti në pallatin Elysee kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por, me asnjë lajm apo komunikatë nuk reagoi pas këtij takimi.

Siç nuk ka figuruar si paralajmërim në agjendën e tij zyrtare në faqe, aty nuk ka gjurmë as se takimi është mbajtur.

E tëra që dihet është ajo që shkroi e fotografoi mysafiri i tij nga Kosova.

Ky i fundit, me një postim në llogarinë e tij, si edhe me një komunikatë nga qeveria, bëri me dije pak orë pas takimit, se në bisedën dhe drekën e punës që, sipas tij, zgjatën dy orë, u diskutua për “rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian, si dhe për përkushtimin e Republikës së Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.

Madje, edhe në mbledhjen e qeverisë, tri ditë më vonë, Kurti i përsëriti këto “detaje” nga vizita në Paris.
Aty, tha edhe se nga Presidenti Macron kërkoi mbështetjen e Francës në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE e organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë. Gjithashtu, tha se në takim ngriti çështjet e sigurisë, forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë.

KosovaPress mëson jozyrtarisht se kërkesa për takim u bë nga vet Kurti, si pjesë e agjendës së vizitës së tij në Francë, ku sipas burimeve, ndoqi nga afër një aktivitet kulturor. KP ka kontaktuar me Zyrën e Presidentit të Francës për të mësuar arsyen e mospubklikimit të asnjë lajmi për takimin, por nga aty u këshillua që pyetjet t’i dërgohen ambasadës së Francës në Prishtinë. E nga kjo e fundit, që nga e hëna nuk u dha përgjigje.

As qeveria e Kosovës nuk e dha ndonjë koment deri në publikimin e këtij lajmi lidhur me “heshtjen” e Macron për pritjen që i bëri Kurtit. Kjo, derisa nga paradita e së premtes s’u përgjigj as për mënyrën se si u organizua takimi, e as nëse kryeministri kishte edhe aktivitete të tjera në agjendën e tij në Paris.

Shpërndaje në: