Frustrimi i radhës i Fisnik Asllanit
Fisnik Asllani pak ditë më parë është dashur të përballet me eliminim nga Kupa e Botës dhe tani, me gjithë golin e ëndrrave për Hoffenheimin, mori goditje tjetër të rëndë në ligë
Në një intervistë për Kicker së fundi, Fisnik Asllani zbuloi se sa shumë dëshironte të ishte pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës, që mund të kualifikohej për herë të parë në Kupën e Botës. Zhgënjimi pas humbjes 1:0 nga Turqia në finale ishte i madh. Ai shpresonte ta kapërcente këtë pengesë në Bundesligë.
Top-golashënuesi i Hoffenheimit e bëri pikërisht këtë. Pas disavantazhit të papritur ndaj Mainzit, të shtunën, Hoffenheimi nuk lejoi të shkatërrohej si në ndeshjen e kaluar ndaj Leipzigut (5:0). Dhe vetëm dhjetë minuta më vonë, Asllani u lirua nga frustrimi që solli dështimi për kualifikim në Botëror.
“Po, mund të thoni këtë”, ka theksuar 23-vjeçari, që shënoi me goditje të fortë me të majtën nga rreth 18 metra largësi. Topi shkoi pak nën traversë.
“Kam pasur goditje të ngjashme me ekipin nacional kundër Turqisë, që portieri e shtyu në traversë. Këtë herë shkoi nën shtyllë. Ndonjëherë je me fat, ndonjëherë jo”, ka shtuar Asllani.
Çdo gjë dukej se ishte në favor të ekipit vendas, që shtyu shumë për përmbysje të rezultatit në ndeshje dhe kalim të kësaj faze të vështirë në kampionat.
“Mendoj se sidomos në pjesën e parë, pas barazimit, kemi luajtur mirë dhe ishim ekip më i mirë”, ka theksuar Asllani. “Në fund humbëm shanse për ta bërë 2:1 në pjesën e parë. Ka pasur shanse që me gjasë nuk i kemi konkretizuar si duhet. Ose na ka munguar preciziteti në pasimin final, ose morëm vendime të gabuara”.
Pas pushimit, Hoffenheimi dështoi të bënte presionin e njëjtë, ishte i pafat kur Wouter Burger goditi shtyllën dhe pësoi humbje 2:1.
Dozë tjetër frustrimi për Asllanin. Por ai vazhdon të qëndrojë pozitiv.
“Nuk ka asgjë tjetër për ne pos që të vazhdojmë përpara. Duhet të punojmë gjatë javës, do të jetë javë e shkurtër”.
Hoffenheimi luan të premten ndaj Augsburgut.
“Java e shkurtër ofron shans për përmirësim të shpejtë”.
A frikësohet Asllani që Hoffenheimi nuk do të shpërblehet për sezonin e mirë?
“Jo, jo në të vërtetë. Jo, pasi e shoh kualitetin që kemi dhe ju nuk mund të mohoni këtë. Nëse vazhdojmë të punojmë fort, që është parakusht, atëherë do të shmangim ndeshje si kjo. Dhe gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë njëjtë dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë”.
Asllani nuk është përfshirë në spekulimet për të ardhshmen e tij, që mund ta përfshijnë Barcelonën, Bayernin, Dortmundin apo ndonjë skuadër tjetër.
“Gjëja e vetme për të cilën mund të ndikoj është ajo që ndodhë në fushë: të vazhdoj të performoj, të mundohem ta ndihmoj ekipin, me gola, asistime apo çdo gjë tjetër”, ka shpjeguar sulmuesi.
“Të them të drejtën nuk jam i interesuar për atë që po ndodh përreth meje. Ishte njëjsoj edhe edicionin e kaluar kur isha ende në Elversberg. Të gjithë flisnin për atë që do të ndodhte në sezonin e ardhshëm. Unë thjesht thashë: ‘Më linin rehat, më linin të luaj futboll, më lini të argëtohem’. Dhe kjo është pikërisht ajo që po bëj këtë vit”.
Mbetet të shihet si do të jetë në fund.



