Asllani dhe Vuskovic dy objektivat kryesorë të Barçës, por katalunasit s’duan të nguten
Barcelona po mendon seriozisht për të ardhmen dhe në listën e saj kanë përfunduar dy emra shumë interesantë: sulmuesi kosovar Fisnik Asllani dhe ai kroat Luka Vuskovic.
Sipas raportimeve nga “Mundo Deportivo”, klubi katalanas i ka në radar këta dy talentë, të cilët po spikasin me paraqitjet e tyre dhe konsiderohen si investime potenciale për vitet në vijim.
Megjithatë, pavarësisht interesimit konkret, drejtuesit e Barcelonës nuk duan të nxitojnë.
Vendimi përfundimtar për të dy lojtarët është shtyrë, pasi klubi preferon t’i ndjekë nga afër edhe për një periudhë më të gjatë përpara se ta bëjë një lëvizje zyrtare.
Asllani shihet si një profil që i përshtatet filozofisë së lojës së Barcelonës, me aftësi dhe potencial për t’u zhvilluar në një sulmues të rëndësishëm në të ardhmen.
Ai madje po krahasohet edhe me Robert Lewandowskin për nga stili i lojës dhe shihet si pasues ideal i tij.
Nga ana tjetër, Vuskovic konsiderohet një “diamant” në mbrojtje dhe një nga talentet më premtues në Evropë për repartin defanziv.
Barcelona po luan me durim: dy emra janë shënuar, interesimi është real, por vendimi final do të vijë vetëm në momentin e duhur.



