Zëdhënësi i LDK`së thotë se kryeministri “nuk po don me gjetë zgjidhje për President”

Zëdhënësi i LDK`së thotë se kryeministri “nuk po don me gjetë zgjidhje për President”

Pak minuta pasi përfundoi takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për çështjen e Presidentit, zëdhënësi i partisë më të vjetër në vend, Besian Mustafa tha se shefi i Qeverisë “nuk po don me gjetë zgjidhje për president bashkë me LDK-në”.

Mustafa iu referua një deklarate të Kurtit pas takimit, ndërsa tha se ai nuk do zgjidhje.

“Albini sapo përsëriti “80-81 vota për President nuk është caku ynë”. Pra, NUK po don me gjetë zgjidhje për president bashkë me LDK-në. Veq mos thuani pastaj “LDK po na qon në zgjedhje”!”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Edhe më herët, Kurti ka thënë se “nuk është mirë të jemi veçse 80 apo 81” deputetë, por “rreth 85”, për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Ky ishte takimi i katër mes Kurtit dhe Abdixhikut për çështjen e Presidentit, dhe i pari pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dha një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e shefit të ri të shtetit.

Shpërndaje në: