Banorja rrëfen momentet tronditëse të vrasjes së Zoja Oroshit në Austri: I njihnim si njerëz të mirë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Austrinë pasditen e së dielës së Pashkëve, ku një grua 39-vjeçare është gjetur e pajetë në kopshtin e shtëpisë së saj.
Sipas raportimeve të mediave austriake, viktima është Zoja Oroshi, me origjinë nga Gjakova, e cila jetonte në Baden. Dyshohet se ajo ka pësuar plagë si nga mjet i mprehtë, ashtu edhe nga arma e zjarrit.
Lidhur me rastin, si i dyshuar kryesor është arrestuar ish-bashkëshorti i saj, 47-vjeç, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim. Çifti raportohet se kishte katër fëmijë dhe më herët kishte pasur konflikte familjare, ndërsa motivi i krimit mbetet ende i paqartë. Hetimet janë në vazhdim.
Një banore e zonës, dëshmitare e zhvillimeve pas ngjarjes, ka rrëfyer për mediat momentet e para pas incidentit.
“Ishte një mbrëmje e zakonshme për mua dhe pashë nga distanca një numër të madh policësh. Më pas u mblodhën shumë fqinjë dhe kuptuam se një grua, nënë e fëmijëve, ishte vrarë pak metra më tej”, ka deklaruar ajo.
E pyetur nëse e njihte çiftin, ajo shtoi se fëmijët e tyre luanin shpesh bashkë dhe se familja dukej e rregullt, çka e ka bërë ngjarjen edhe më tronditëse për komunitetin.
Banorja theksoi se rasti ka prekur rëndë gjithë zonën: “Jam e tronditur, nuk kam fjetur gjithë natën duke menduar se çfarë po kalojnë fëmijët tani. Kjo ngjarje prek secilin në fshat.”



