Aksident i rëndë në autostradën Levan-Vlorë, humb jetën një 25-vjeçar
Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në autostradën Levan–Vlorë, pranë fshatit Novoselë.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një i ri, rreth 25 vjeç. Ekipi i urgjencës që mbërriti në vendngjarje konstatoi se i riu kishte ndërruar jetë në vend.
Trupi i viktimës është transportuar në morgun e qytetit, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Sipas të dhënave paraprake, mjeti me targa AB009GN është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore të rrugës. Rreth 30 metra larg pikës së përplasjes është gjetur pa shenja jete shtetasi Albi Hoxha, i datëlindjes 07.08.2002.
Autoritetet ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Gjithashtu, po punohet për të verifikuar nëse në automjet ndodheshin edhe persona të tjerë në momentin e ngjarjes.



