Studentët thërrasin protestë në Pejë: Kundër gjuhës së urrejtjes dhe shtrembërimit të historisë
Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka bërë thirrje për organizimin e një proteste paqësore më 10 prill 2026, në ora 12:00, në Sheshin e qytetit, duke ftuar qytetarët, studentët dhe gjithë shoqërinë civile që t’i bashkohen reagimit kundër, siç thuhet, përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe deformimit të historisë së Kosovës.
Në këtë thirrje theksohet se këto dukuri cenojnë kujtesën kolektive dhe fyejnë sakrificën e popullit, ndërsa organizatorët kërkojnë mobilizim qytetar për të mbrojtur të vërtetën, dinjitetin dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.
Postimi i plotë:
THIRRJE PËR PROTESTË PAQËSORE
E organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë
Qytetarë të Republikës së Kosovës, studentë, profesorë, të rinj dhe të gjithë ju që besoni në të vërtetën, dinjitetin dhe historinë e Republikës së Kosovës.
Në ditët e fundit, jemi përballur me raste shqetësuese të përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe të deformimit të historisë së Republikës së Kosovës. Këto veprime janë të papranueshme, sepse cenojnë kujtesën tonë kolektive, fyejnë sakrificën e popullit tonë dhe dëmtojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë.
Ne nuk mund të heshtim.
Ne nuk mund të lejojmë që urrejtja të zërë vend në shoqërinë tonë.
Ne nuk mund të pranojmë që historia e Kosovës të shtrembërohet.
Prandaj, Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë u bën thirrje të gjithë qytetarëve, studentëve, profesorëve, familjeve, aktivistëve dhe secilit njeri të ndërgjegjshëm që t’i bashkohen:
PROTESTËS PAQËSORE
10 prill 2026
Ora 12:00
Sheshi i Qytetit të Pejës
Le të dalim bashkë, me qetësi, me dinjitet dhe me vendosmëri qytetare, për të mbrojtur të vërtetën, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes dhe për të reaguar ndaj çdo përpjekjeje për deformimin e historisë së Republikës së Kosovës.
Kjo është një thirrje qytetare.
Kjo është një thirrje për ndërgjegje.
Kjo është një thirrje për të mos heshtur.
Bashkohuni!
Për të vërtetën.
Për kujtesën historike.
Për dinjitetin tonë.
Për Republikën e Kosovës.



