Kurti zbulon planet për 2030: Palestra e re e xhudos nikoqire e sporteve luftarake në Lojërat Mesdhetare

Kurti zbulon planet për 2030: Palestra e re e xhudos nikoqire e sporteve luftarake në Lojërat Mesdhetare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën sportive, duke e lidhur drejtpërdrejt zhvillimin e xhudos me përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë.

Në një deklarim të tij me rastin e punimit për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, Kurti ka vënë në pah se qendra aktuale e xhudos ka qenë bazë e sukseseve olimpike të Kosovës, ndërsa investimi i ri synon ta çojë këtë sport në një nivel edhe më të lartë, duke krijuar kushte moderne dhe standarde ndërkombëtare për sportistët.

“Kjo qendër ku ndodhemi aktualisht është përuruar në shtator të vitit 2021. Një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në ‘Paris 2024’ është shtruar pikërisht këtu. Pjesa tjetër është bërë në kushte më të vështira, por me punë dhe përkushtim, kjo ekip e jashtëzakonshme e xhudos ka sjellë medalje të arta olimpike nga Rio dhe Tokio. Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit ‘Kosova shtet i xhudos’, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin: Palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant. Projekti do të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë punën përpara, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë dhe njëkohësisht të kontribuojë në zgjerimin dhe ngritjen e sportit, turizmit dhe ekonomisë në vendin tonë. Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re të xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030”, bëri të ditur Kurti.

Në përmbyllje, kryeministri nënvizoi se ky projekt nuk është vetëm investim në sport, por edhe një hap strategjik për organizimin e suksesshëm të Lojërave Mesdhetare 2030, duke e pozicionuar Kosovën si një qendër të rëndësishme sportive në rajon dhe më gjerë.

Shpërndaje në: