Assesi nuk bindet Nexhi nga Kosova, sërish konteston fotot e NASA te Tokës nga Hëna
Nexhi Krasniqin nga Kosova nuk e ka bindur NASA me shpjegimet që ia ka dhënë rreth fotografive të planetit Tokë që janë shkrepur prej Hënës nga misioni Artemis II.
Edhe pas shpjegimeve që ia ka dhënë NASA rreth dilemave që ka shprehur, ai prapë vazhdon të besoi se fotografitë e publikuar nga NASA janë të krijuar me inteligjencë artificiale.
Në një prononcim për Tëvë1, Krasniqi ka treguar se NASA nuk ia ka ndryshuar mendimin.
“Unë prapë e kam qat mëndin, se foto si foto po me jep përshtypjen me u bind se nuk ka mundësi me kanë e fotografuar prej mbas hanës duke e parë edhe token. Nuk jam ekspert i kësaj lemie, mirëpo me të thanë të drejtën shumë shpesh e kom vizitu google earth-in, planetët tjera”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka treguar edhe si ka ardhur në përfundimin se ato fotografi nuk janë të vërteta.
“Tuj kqyrë, tu ba analizë me vetveten unë, tu thanë ku janë yjet? Se nuk shihen fare”, ka thënë ai.
Derisa NASA në profilin e saj në Facebook ka shkruar për fotografitë epike që i ka realizuar ekuipazhi i Artemis II, shqiptari me emrin Nexhi Krasniqi i ka kontestuar ato.
Në një koment në statusin e NASA-s, ai ka pyetur se pse në këto fotografi nuk po duket yjet.
Sipas tij, këto fotografi janë bërë me inteligjencë artificiale.
“Pse nuk po duken yjet nga kjo pozitë? Dyshoj që është krijuar nga inteligjenca artificiale!”, ka shkruar Krasniqi.
Çuditërisht këtij komenti i është përgjigjur NASA, duke i shpjeguar se pse në këto fotografi nuk duken ujët.
“Nexhi Krasniqi, nuk mund të shohim yje në këto imazhe sepse yjet duken relativisht shumë të zbehtë krahasuar me Hënën, e cila është shumë më afër dhe pasqyron shumë më shumë dritë. Kamerat mund të kapin vetëm një gamë të caktuar midis pjesëve më të ndritshme dhe më të errëta të skenës”, i është përgjigjur NASA.




