Reuters: Trump po shqyrton tërheqjen e disa trupave amerikane nga Evropa mes tensioneve me NATO’n

Reuters: Trump po shqyrton tërheqjen e disa trupave amerikane nga Evropa mes tensioneve me NATO’n

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka diskutuar me këshilltarët e tij mundësinë e tërheqjes së një pjese të trupave amerikane nga Europa, mes pakënaqësisë për mungesën e mbështetjes nga aleatët e NATO-s dhe bllokimit të planeve të tij për Groenlandën, raporton Reuters

Sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, ende nuk është marrë asnjë vendim dhe Pentagoni nuk është urdhëruar të hartojë plane konkrete për reduktimin e trupave në kontinent.

Megjithatë, vetë diskutimet tregojnë për përkeqësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe aleatëve europianë të NATO-s në muajt e fundit. Po ashtu, ato sugjerojnë se vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë nuk ka arritur të përmirësojë ndjeshëm raportet transatlantike, të cilat konsiderohen ndër më të tensionuarat që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949.

Aktualisht, SHBA ka mbi 80 mijë trupa në Europë dhe ka luajtur një rol kyç në arkitekturën e sigurisë europiane që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 30 mijë prej tyre janë të vendosur në Gjermani, ndërsa numra të konsiderueshëm gjenden edhe në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë.

Zyrtari nuk specifikoi se cilat vende mund të preken apo sa trupa mund të tërhiqen nëse Trump vendos të ecë përpara me këtë ide.

Aleanca në krizë

Edhe pse marrëdhënia e Trump me NATO-n ka qenë prej kohësh e tensionuar—ai shpesh ka akuzuar vendet europiane për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje—tre muajt e fundit kanë qenë veçanërisht të vështirë.

Në janar, Trump shkaktoi një krizë transatlantike duke rikthyer kërcënimet për aneksimin e Groenlandës, territor autonom i Danimarkës. Ndërkohë, pas shpërthimit të luftës me Iranin më 28 shkurt, ai ka shprehur zhgënjim që aleatët e NATO-s nuk kanë ofruar ndihmë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimin global me energji, e cila ka mbetur kryesisht e mbyllur pavarësisht një armëpushimi të brishtë të shpallur këtë javë.

Diplomatë të NATO-s kanë deklaruar se SHBA nuk ka sqaruar nëse pret që një mision në Ngushticën e Hormuzit të nisë gjatë apo pas konfliktit, si dhe nuk ka specifikuar kapacitetet që kërkon nga secili shtet anëtar.

Sipas raportimeve, zyrtarë të lartë të administratës kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e zhvendosjes së trupave nga vendet europiane, liderët e të cilëve kanë kritikuar luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, drejt vendeve që kanë mbështetur më shumë këtë qëndrim.

Megjithatë, sipas zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë, Trump po shqyrton kryesisht rikthimin e trupave në SHBA, dhe jo zhvendosjen e tyre në vende të tjera të huaja.

Shpërndaje në: