Vrasja e paralajmëruar e UÇK-së

Vrasja e paralajmëruar e UÇK-së

Shkruan: Labinot Gjini

Më 23 maj 2025, në teatrin ODA, u shfaq kjo vepër me titull “Vrasja e paralajmëruar e një ëndërre”.

Bëhej fjalë për vrasjen e arkitektit Rexhep Luci, e cila kishte ndodhur në vitin 2000.

Unë isha aty sepse e dua teatrin dhe isha kurioz për shfaqjen që do bënin lidhur me këtë fatkeqësi njerëzore. Pra, nuk kisha ardhur me asnjë presupozim tjetër.

Pak më vonë, aty erdhi edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nën përcjelljen e shumë truprojave të tij.

Qe besa, ishin të shumtë me prezencë edhe nga Ministria e Kulturës, e cila ishte sponsorizuesja kryesore e kësaj shfaqjeje.

U çudita me këtë prezencë qysh në fillim. Po pyesja në mes vete pse të ishte kaq e mobilizuar Qeveria në lidhje me këtë shfaqje.

E kuptova më vonë.

Në fakt, shfaqja nuk kishte aq shumë të bënte me Rexhep Lucin. Në këtë rast, fatkeqësia e tij ishte përdorur si suport për të sulmuar dhe inkriminuar UÇK-në.

Pra, krimi i ndodhur vite më parë ndaj arkitektit Rexhep Luci, tani po përdorej kundrejt UÇK-së, me akuza të drejtpërdrejta ndaj komandantëve të saj.

Për të qenë i qartë, aty kishte një mungesë të dukshme të koherencës mes rrethanave të kohës dhe akuzave që ngriteshin:

1. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2000, kur UÇK-ja nuk ishte më formacion ushtarak që nga shtatori i vitit 1999. Pra, thuajse një vit më herët.

2. Në kohën kur është vrarë Rexhep Luci, si drejtor i urbanizmit në Komunën e Prishtinës, në qeverisje ishte LDK.

3. Përgjatë asaj periudhe, nuk është bërë kurrë fjalë për ndonjë rol të njerëzve të luftës në lidhje me pasurinë e patundshme në Prishtinë. Përkundrazi, thashethemet silleshin rreth figurave të tjera, si Enver Sikiraqa dhe Ukë Rugova.

4. Pavarësisht se vizioni i Rexhep Lucit për urbanizmin nuk përkonte me interesa të caktuara private, në atë kohë në Kosovë nuk kishte ende fuqi të mirëfillta ndërtuese. Ndërtimi i përshpejtuar në zonat urbane ka filluar kryesisht pas vitit 2013, në mos më vonë.

5. Njerëzit e krahut të luftës nuk kishin kapacitete financiare (kapital) për investime të tilla dhe nuk kishin pushtet në Prishtinë për të shtyrë interesa të këtij lloji. Thënë ndryshe, ata nuk kishin lëshuar ende këmbën në Prishtinë në vitin 2000.

6. Ngjarja asnjëherë nuk është ndriçuar në aspektin penal që të dimë se kush ishte dorasi këtij krimi makabër.

Atëherë, pse të akuzohet kryekëput UÇK-ja, edhe pse asnjë provë nuk është dhënë në këtë drejtim?

Apo pse shfaqja të fokusohej pothuaj e tëra mbi UÇK-në dhe jo mbi akuzat ndaj promotorëve imobiliarë dhe kapaciteteve të tyre për të bërë presion apo për të mbërritur deri te krimi i organizuar dhe vrasjet?

Dhe, sidomos, pse të bëhet një shfaqje me një ton kaq akuzues ndaj UÇK-së 26 vjet pas shpërbërjes së saj?

Miq, do të duhej të ishit në atë sallë atë natë për ta parë e dëgjuar me sytë dhe veshët tuaj, por edhe për ta ndjerë frymën e kësaj shfaqjeje. Ndërsa ajo krijonte një ndjenjë të fortë njerëzore për humbjen e një njeriu, një babai, një qytetari, në të njëjtën kohë po ndërtonte një ndjenjë negative ndaj luftës, lirisë dhe çlirimit të vendit.

Salla ishte, jo rastësisht, e mbushur me ata që luftën e UÇK-së e kishin parë si humbje, si zhbërje, si shthurje të privilegjeve të tyre në Jugosllavi. Dukej qartë se mungonte një mendje kritike ndaj pjesës ku dhimbja njerëzore pranohej, por akuza e paargumentuar dhe tendencioze kalonte pa u vënë në pikëpyetje.

Rastësisht isha unë aty. I kapur si në një kurth, duke përjetuar një moment tepër të rëndë. Nuk po i besoja syve dhe as veshëve. Ishim në vitin 2025 dhe Qeveria e Kosovës kishte financuar një shfaqje teatri kundër UÇK-së. Dhe Kryeministri i Kosovës, pas asaj shfaqjeje, po ngrihej në këmbë dhe po duartrokiste si një sponsorizues i kënaqur.

Isha i vetëm, së bashku me Abetaren, në sallë që nuk luajtëm vendi. Abetarja e kishte kuptuar se më ishte trazuar shpirti. Po e priste shpërthimin tim dhe argumentimin tim sapo të dilnim jashtë.

Nuk më kishte revoltuar impakti i shfaqjes. Nuk më kishte revoltuar as arti në vetvete. Ajo që më kishte revoltuar ishte qëllimi. Po mendoja se të gjitha shtetet investojnë për të promovuar vlerat e tyre historike dhe ngjarjet që i përcjellin ato. Asnjëra nuk është pa njolla. Ana e errët nuk duhet anashkaluar. Jam që shoqëria jonë të lirohet nga ideja se çdo gjë është ose e bardhë ose e zezë.

Halli është se po e kuptoja tanimë që kjo Qeveri po investon që çdo gjë që kishte të bënte me luftën tonë, me çlirimin dhe lirinë tonë, të dilte e zezë.

Tek kjo shfaqje po merrte kuptim të plotë një lëvizje intelektuale, kulturore dhe artistike e kohëve të fundit — e koordinuar, e mbështetur dhe e financuar, që çon drejt një pranimi përfundimtar se UÇK-ja ishte e keqja historike e këtij vendi.

Pra, as shfaqja në teatrin ODA, as shfaqja tjetër në teatrin e Ferizajt që po shfaqej një javë më vonë, as Rron Gjinovci, as Shkëlzen Gashi, as Veton Surroi, as Vudi Xhymshiti dhe as dhjetëra projekte e financime të tjera nuk po ndodhin rastësisht në këtë periudhë të qeverisjes 51%.

Është krijimi i një ekosistemi anti-shqiptar dhe anti-UÇK.

Kjo shfaqje, për mua, ishte paralajmërimi i vrasjes së UÇK-së si vlerë historike — e cila, mundësisht, duhej të ndodhte paralelisht me proceset gjyqësore në Hagë.

UÇK-ja nuk mund të “vritej” vetëm përmes një gjyqi. Projekti i vërtetë është që ajo të vritet në ndjenjat më të thella të qytetarit tonë.

Shpërndaje në: