Nga dasmat te drejtoritë: familjarët “avancojnë”, gruaja e Armend Mujës bëhet drejtoreshë në MINT
Dikur familjarët për Lëvizjen Vetëvendosje ishin vetëm për dasma, por pas ardhjes në pushtet ndërruan qëndrimet e tyre, sot familjarët janë edhe për t’i rehatuar nëpër pozita pune në institucionet e vendit.
E njëjta ka ndodhur edhe me gruan e ministrit të Bujqësisë, Armend Mujës, Arjeta Islami Muja.
Ajo që nga korriku i 2025-tës, e ushtron detyrën e u.d të Drejtoreshës së Departamentit për Integrime evropiane dhe Koordinim të Politikave në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Ky vendim që nuk u bë asnjëherë publik, është marrë me 24 korrik 2025.
Arjeta Islami Muja, në deklarimin e pasurisë për vitin 2026, ka deklaruar pagë prej 1 mijë e 555 eurove nga Ministria ku kryen detyrën e drejtoreshës, ndërsa ka deklaruar edhe 1 mijë e 669 euro pagë nga Kuvendi i Kosovës për bashkëshortin e saj, Armend Mujën i cili gjatë vitit të kaluar ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.
Muja është emëruar ministër i Bujqësisë në Qeverinë Kurti 3 ndërsa asnjëherë nuk ka treguar se bashkëshortja e tij ka zënë një post publik kaq të rëndësishëm në MINT.






