Qytetarët në BE skeptikë për pranimin e vendeve të Ballkanit: Anketat tregojnë më së paku mbështetje për Kosovën dhe Serbinë

Qytetarët në BE skeptikë për pranimin e vendeve të Ballkanit: Anketat tregojnë më së paku mbështetje për Kosovën dhe Serbinë

Në Austri dhe Gjermani mbizotëron skepticizmi ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, Mali i Zi shpreson se mund t’i bashkohet Unionit së bashku me Islandën, citon DW gazetën gjermane FAZ.

Shumica e qytetarëve në Gjermani dhe Austri kundërshtojnë zgjerimin e mundshëm të Bashkimit Evropian, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), duke iu referuar një sondazhi të Eurobarometrit të publikuar në shtator 2025. Në nivel të gjithë BE-së, 56 për qind e të anketuarve mbështesin pranimin e anëtarëve të rinj. Megjithatë, në Gjermani dhe Austri, me përkatësisht 49 dhe 45 për qind mbështetje, përkrahësit e zgjerimit janë në pakicë. Në Çeki dhe Francë, vetëm 43 për qind e të anketuarve e mbështesin idenë e pranimit të vendeve të reja.

“Refuzimi lidhet pjesërisht edhe me imazhin e dobët të kandidatëve”, thekson FAZ, duke kujtuar se përveç Turqisë – e cila zyrtarisht ka status kandidati, por prej vitesh nuk luan rol të rëndësishëm në debatet për zgjerimin – vendet e tjera kandidate janë nga Evropa Lindore: gjashtë nga Ballkani Perëndimor, si dhe Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia, e cila aktualisht nuk konsiderohet një kandidate serioze.

Në tekst theksohet se në të gjitha këto vende, performanca ekonomike është nën mesataren e vendeve aktuale anëtare të BE-së. “Kjo nuk shkakton entuziazëm, sidomos në Austri dhe Gjermani. Kandidatët shpesh perceptohen si vende që marrin më shumë sesa japin. Ky perceptim është i padrejtë, por gjithsesi i pranishëm në opinionin publik”, shkruan FAZ.

Vetëm 15 për qind e duan Serbinë në BE

Shtohet se edhe në “Austrinë skeptike” ekziston mbështetje për zgjerimin e BE-së, por vetëm kur bëhet fjalë për Norvegjinë, me 62 për qind, dhe Islandën, me 57 për qind mbështetje – një situatë e ngjashme është edhe në Gjermani.

“Norvegjia dhe Islanda nuk ngjallin frikë dhe perceptohen si një pasurim i mundshëm për Bashkimin Evropian. Ndërsa çështja e anëtarësimit të Norvegjisë aktualisht nuk është në rend dite, Islanda mund të bëhet së shpejti një kandidate relevante – nëse qytetarët në referendumin e planifikuar për fundin e gushtit vendosin për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit, të ndërprera në vitin 2015”, shkruan autori i tekstit, Michael Martens.

Në të njëjtën kohë theksohet se shumica e qytetarëve të BE-së refuzojnë anëtarësimin e vendeve ballkanike dhe atyre të Evropës Lindore. “Vetëm 25 për qind e të anketuarve në Austri mbështesin hyrjen e Bosnje dhe Hercegovinës në BE. Edhe pse kjo është përqindja më e lartë mes të ashtuquajturve ‘të padëshiruar’, ajo mbetet shumë e ulët”, shkruan Martens.

Sipas tij, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina kanë nga 20 për qind mbështetje, Shqipëria 17 për qind, ndërsa Moldavia 16 për qind. Mbështetjen më të ulët e kanë Serbia dhe Kosova, me nga 15 për qind të të anketuarve që përkrahin anëtarësimin e tyre në BE.

Mali i Zi në paketë me Islandën?

Këto rezultate janë veçanërisht të pafavorshme për Malin e Zi, të cilin Komisioni Evropian prej vitesh e konsideron “lider” mes vendeve kandidate nga Ballkani. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shpesh thekson progresin e Podgoricës. Mali i Zi është i vetmi kandidat që ka hapur të gjitha 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur më shumë kapituj se çdo vend tjetër – gjithsej 14. Qëllimi është anëtarësimi deri në vitin 2028.

Megjithatë, autoritetet në Podgoricë janë të vetëdijshme për rezervat ndaj vendeve të Ballkanit. Për këtë arsye, sipas FAZ-it, ka lindur ideja që Mali i Zi të përpiqet të hyjë në BE së bashku me një vend që është më pak kontrovers. Nëse në referendumin islandez mbështetet vazhdimi i negociatave, Mali i Zi mund të përpiqet të shfrytëzojë imazhin pozitiv të Islandës dhe të realizojë një të ashtuquajtur “anëtarësim në tandem”. Nëse Islandës i hapen dyert e BE-së, Mali i Zi do të “hynte bashkë me të”. Nga ana numerike, kjo nuk do të ishte problem, pasi të dy vendet së bashku kanë pak më shumë se një milion banorë.

FAZ gjithashtu shkruan se gazeta malazeze Pobjeda ka biseduar me ministren e jashtme të Islandës, Katrín Gunnarsdóttir. E pyetur për mundësinë e një hyrjeje të përbashkët të Malit të Zi dhe Islandës në BE, ajo nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Megjithatë, kur u pyet nëse vendet e reja anëtare duhet të pranohen pa të drejtë vetoje për të ruajtur funksionalitetin e BE-së, ajo u përgjigj se “Islanda beson në bashkëpunim në kushte të barabarta dhe çdo marrëveshje me BE-në duhet ta pasqyrojë këtë”.

“Ky është gjithashtu qëndrimi zyrtar i Malit të Zi. Nëse një qasje e tillë është realiste, mund të shihet që vitin e ardhshëm”, përfundon Mihael Martens në artikullin për Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Shpërndaje në: