Operacioni “White Star”, edhe dy në pranga për afro 18 kg heroinë në Ferizaj

Operacioni “White Star”, edhe dy në pranga për afro 18 kg heroinë në Ferizaj

Një operacion i përbashkët ndërmjet Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës, në kuadër të Task Forcës “White Star”, ka çuar në arrestimin e katër personave të dyshuar për trafikim të narkotikëve në Ferizaj.

Aksioni, i realizuar më 13 prill 2026, rezultoi fillimisht me arrestimin e dy personave, ndërsa më pas edhe dy të tjerë, duke e çuar në katër numrin total të të ndaluarve: A.D., S.Sh., M.Sh. dhe M.B.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit përballen me akuza për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe shpëlarje parash.

“Gjatë operacionit, autoritetet kanë sekuestruar rreth 17 kilogramë e 900 gramë heroinë, një sasi e konsiderueshme që dyshohet se ishte përgatitur për transport. Me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle në katër lokacione të ndryshme, ku përveç narkotikëve janë konfiskuar edhe prova të tjera materiale që do të përdoren në procedurën penale. Me vendim të prokurorit, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë. Brenda këtij afati, Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Tutje në njoftim, bëhet e ditur se hetimet e deritanishme kanë bërë të mundur identifikimin e personave dhe lokacioneve ku ka operuar grupi kriminal, si dhe lokalizimin e vendit ku mbahej substanca narkotike.

“Ndërkohë, edhe dy persona të tjerë mbeten në kërkim, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon operacionet për kapjen e tyre”.

Shpërndaje në: