Viza s’do të ketë as këtë vit, pavarësisht ratifikimit apo jo të Demarkacionit
E gjithë vëmendja politike në ditën kur të votohet në Kuvend ky Demarkacion duhet të koncentrohet në vetëm një fakt: A janë të bindur 120 deputetët e Kosovës se Marrëveshja për Kufirin me Malin e Zi është e drejtë dhe se votimi mbi bazën e fakteve të prezantuara deri tash është bërë mbi baza të qarta ligjore. Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri” profesori i së drejtës ndërkombëtare Vigan Qorrolli.
Çështja e demarkacionit është bërë pengesa kryesore e rrugëtimit evropian të Kosovës. Kjo për shkak të dëshirave të pangopura politike dhe mungesës së parimësisë në caktimin e kufijve shtetërorë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” profesori i së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli.
Megjithatë, u ratifikua apo jo Demarkacioni së shpejti, liberalizim të vizave nuk pritet të ketë as këtë vit, ka thënë ai. “Kjo për dy arsye: E para, është vit zgjedhor në dy shtetet kryesore. E dyta, Franca është skeptikja numër një e udhëtimit të lirshëm të kosovarëve drejt Schengenit. Kosova është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Francë nga i gjithë kontinenti evropian”, ka thënë ai.
Ndërkohë, duke folur për moskrijimin e ushtrisë së vendit profesor Qorrolli ka treguar se dilemat për krijimin e saj nuk shihen vetëm si kushtetuese nga aleatët tanë perëndimorë, por si nevojë për këtë konsensus gjithënacional, gjë që në këtë fazë nuk ekziston.
Gjatë intervistës ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë. Sipas tij, duhet një doktrinë e re kombëtare e dialogut me Serbinë dhe ajo duhet të bazohet në ristrukturimin e thellë të formatit aktual të këtij dialogu. Ndërkaq, sa i përket sistemit të drejtësisë në vend, ai ka thënë se duhet që politika mos t’i fusë duart në Prokurori dhe në gjyqësor me asnjë kusht.
Zëri: Zotëri Qorrolli, dje edhe zyrtarisht kryetari i Kuvendit dhe kryeministri Mustafa thanë se pas bisedës me zotin Hoyt Yee janë dakorduar që Demarkacionin ta sjellin në Kuvend këtë javë. Kjo çështje ka dy vjet që po shtyhet. Çfarë mendoni se do të ndodhë tani?
Qorrolli: Si motiv i dëshirave të pangopura politike çështja e demarkacionit tashmë është bërë pengesa kryesore e rrugëtimit evropian te Kosovës, meqë gjithë koncentrimi në këtë temë bëhet për arsye qartësisht politike dhe jo siç do të duhej të ishte, për parimësi në caktimin e kufijve shtetërorë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Në gjykimin e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, version i përkrahur edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ky Demarkacion është bërë në rregull, ndërsa në gjykimin e disa politikanëve tanë kjo duhet rishikuar. Fatkeqësisht asnjëra palë e këtij hendeku politik nuk ka arritur ta bindë kontestuesin më të madh të tij, popullin e rajonit të Dukagjinit, se cili variant i demarkacionit duhet të kalojë.
Kjo çështje duhet ta marrë epilogun e vet, cilido që të jetë. Duhet të kalojë në seancën plenare të Kuvendit dhe të votohet, pavarësisht pro ose kundër. Siç dihet, për ta kaluar një marrëveshje ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, që nënkupton 80 vota duhet të jenë pro, në mënyrë që të kalojë Demarkacioni. Në anën tjetër, në rast se nuk i merr votat pozitive atëherë Kosova edhe ligjërisht sipas së drejtës ndërkombëtare të traktateve e refuzon këtë marrëveshje, e cila do të bjerë e tëra në ujë.
Vërehet qartësisht rëndësia politike e këtij Demarkacioni të bërë jo me kritere të bazuara në ligjin ndërkombëtar, por më tepër në relevanca gjeopolitike. Territori i shtetit të Kosovës qëndron në zemër të të gjithë shtetësisë së saj. Shtrirja e territorit dhe efektivitetit të tij në atë zonë është e lidhur direkt me interesat vitale kombëtare, interesat e mbrojtjes dhe ato të sigurisë.
Me fjalë të tjera e gjithë vëmendja politike në ditën kur të votohet ne Kuvend ky Demarkacion duhet të koncentrohet në vetëm një fakt: a janë të bindur 120 deputetët e Kosovës se Marrëveshja për Kufirin me Malin e Zi është e drejtë dhe se votimi mbi bazën e fakteve të prezantuara deri tash është bërë mbi baza të qarta ligjore.
Zëri: Në rast të dështimit të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje cilat do të jenë pasojat dhe a duhet të ketë zgjedhje?
Qorrolli: Mosratifikimi i Marrëveshjes do të thotë krizë edhe më të thellë politike se kjo që e kemi, ku hendeku mes palëve do të thellohet edhe më tej. Kjo situatë me patjetër që do ta afektojë edhe palën tjetër, Malin e Zi, të cilës duhet t’i kërkohet rishikimi dhe rinegocimi i një marrëveshjeje të re për kufirin mbi kritere të tjera metodologjike.
Me mosratifikim eventual hidhet poshtë e tërë marrëveshja dhe gjithashtu kësaj përbërjeje të Komisionit Shtetëror të Kufirit i humb mandati. Me automatizëm kjo do të thotë mosbesim i punës së tyre nga deputetët e Kuvendit. Kjo mund të çojë ose në shkarkimin e tyre ose në dorëheqje. Dhe në rast rinegocimi me Malin e Zi duhet të jetë një komision tërësisht tjetër meqë këtij hipotetikisht i vuloset fati me mosvotim të punës së tyre.
Marrëdhëniet me Malin e Zi nuk përkeqësohen në rast mosratifikimi, por hyjnë në një qorrsokak meqë rishikimi i kufirit ka implikime ndërkombëtare për të dyja palët. Për Kosovën do të prolongohet edhe më tej liberalizimi i vizave, ndërsa për Malin e Zi do të ndikojë ecuria e negociatave për anëtarësim në BE, meqë anëtarësimi i saj në NATO tashmë është çështje e kryer. Bashkimi Evropian duhet të ndërhyjë me këtë rast, ku do të duhej t’i kërkohej ulja e sërishme e palëve në tavolinë për rishikimin e rregullave të lojës për sa i takon kufirit.
Mosratifikimi eventual i Demarkacionit nuk i drejtohet Malit të Zi si një akt mosbesimi fqinjësor, por më tepër duhet të shikohet si një akt kryesisht i brendshëm politik i mosbesimit të thellë mes pozitës dhe opozitës në Kosovë. Puna është se Demarkacioni nga dita e parë është bërë nën kërcënimin e kolapsit të kësaj marrëveshjeje. Mali i Zi e ka të ratifikuar të njëjtën, por kufiri nuk caktohet nga vetëm njëra palë, prandaj duhet që palët të ulen edhe një herë dhe të merren vesh për metodologjinë e punës, para se ekipet teknike të dalin në terren. Domethënë të bëhet delimitimi i kufirit para Demarkacionit, sepse kështu siç kanë vepruar dy komisionet, e kanë vendosur karrocën para kalit.
Raportet me Malin e Zi dhe me të gjithë fqinjët e tjerë duhet të modelohen sipas një gjykimi politik të veçantë: Mirëbesim dhe solidaritet. Aktualisht nuk e kemi as njërën, as tjetrën. Zgjedhjet do të ishin versioni më i pranueshëm për palët meqë mosbesimi i tyre ndaj Demarkacionit do të ishte kulminacioni i mosbashkëpunimit politik të kësaj shumice qeverisëse. Duke qenë se kufijtë janë akti më i shenjtë i sovranitetit të një shteti, ato nuk mund të caktohen njëanshmërisht. Për Malin e Zi gjithçka është në rregull dhe këtu vlen supozimi i mirëbesimit ngaqë ata e kanë ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacion me Kosovën. Pa ratifikim të të dyja palëve marrëveshje të vlefshme të kufirit nuk ka.
Kosova duhet t’i bëjë presion pozitiv Malit të Zi dhe t’i shprehë mospajtimin e saj në mungesë të ratifikimit, meqenëse për të nuk ka përfunduar asgjë, rrjedhimisht çështja e kufirit me Malin e Zi është ende e hapur dhe ajo nuk mund të pajtohet me këtë proces në mungesë të konsensusit politik dhe atij profesional të ekspertëve më në zë në vend
Zëri: Po nëse kalon a mund të pritet liberalizimi i vizave brenda muajit gusht, siç tha kryeministri Mustafa ditë më parë, apo qytetarët e Kosovës do të duhet të presin ende. Si shkojnë procedurat?
Qorrolli: Në radhë të parë ngutja për Demarkacion ka lindur si nevojë për Malin e Zi si kusht për anëtarësim në NATO, prandaj edhe Bashkimi Evropian është vënë në gjah për kritere që janë ekstra politike, duke mos lejuar që, përveç raportit Kosovë-Serbi, të mos ketë çështje të hapura në Ballkan. Tash Kosovës i kërkohet e njëjta hise dhe e njëjta sakrificë për liberalizim të vizave. Është e qartë që BE-ja kërkon nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përfundojnë këto dilema ndërshtetërore dhe mos të ketë “patate te nxehta” në dorë të asnjërës prej saj.
Autoritetet e Kosovës nuk janë në gjendje t’ia deklarojnë kërkesat mbinatyrore Brukselit për liberalizim vizash, siç ishte ajo e liberalizimit me kusht, sepse Bashkimi Evropian nuk funksionon as me inerci dhe as me logjikë ballkanike, ku çdo gjë dialogohet në formë pazari. Në këtë kuptim institucionet zinxhirore të BE-së do ta japin verdiktin e tyre final për vizat, vetëm atëherë kur të binden që autoritetet politike dhe ato ligjzbatuese të Kosovës i kanë përmbushur detyrimet e marra me udhërrëfyesin për liberalizim.
Aktualisht pa përmbushur ka mbetur Demarkacioni me Malin e Zi dhe kërkesa për rritje të efektivitetit nga autoritetet gjyqësore në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Një gjë është e sigurt, sido që të ndodhë, që pa përmbushje të këtyre kritereve nuk do të ketë liberalizim vizash, madje jo deri në fund të këtij viti. Mosratifikimi mund ta vonojë procesin e liberalizimit të vizave. Sepse pa ratifikim kjo nuk mund të ndodhë.
Vazhdoj t’i qëndroj besnik idesë që edhe në rast të kalimit të Demarkacionit në Kuvend, liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë në vitin 2017. Kjo për dy arsye: E para, është vit zgjedhor në dy shtetet kryesore – emblemë të vendimmarrjes në BE, në Francë dhe në Gjermani. E dyta, Franca është skeptikja numër një e udhëtimit të lirshëm të kosovarëve drejt Schengenit. Kosova është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Francë nga i gjithë kontinenti evropian.
Pse nuk u bë ushtria e Kosovës, ku ngeci procesi? A pritni që të bëhet këtë vit dhe si?
Qorrolli: Themelimi i ushtrisë është çështja më vitale e sovranitetit të Kosovës. Konsensusi për FAK-un duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe drita e gjelbër nga pakicat joshqiptare dhe veçanërisht nga serbët shihen si çelësi kryesor për krijimin e tij nga NATO-ja dhe BE-ja.
Dilemat për krijimin e saj nuk shihen vetëm si kushtetuese nga aleatet tanë perëndimorë, por si nevojë për këtë konsensus gjithënacional, gjë që në këtë fazë nuk ekziston. Konsensusi nga serbët aktualisht është i pamundur për shkak se Beogradi nuk e lejon krijimin e ushtrisë përmes organizatës së tyre fantome politike në Kosovë, Lista Serbe.
Sipas rregullimit kushtetues të Kosovës, FSK-ja nuk mund të bëhet ushtri përmes ligjit sepse rregullimi me ligj mund të bëhet vetëm sa i përket rregullimit organizativ të brendshëm. BE-ja dhe SHBA-ja duhet t’i kërkojnë Beogradit që ta votojë Lista Serbe këtë mënyrë të ndryshimit kushtetues, por kjo vështirë se do të ndodhë pa ardhur Dita D, kur Kosova dhe Serbia përfundimisht më një traktat ndërkombëtar ta përmbyllin konfliktin dhe ta arrijnë paqen përfundimtare.
Zëri: Katër vjet nga dialogu me Serbinë, dhjetëra marrëveshje të arritura, shumë pak të aplikuara në terren. Si e keni parë ju këtë dialog, kush ka përfituar më shumë dhe çka duhet të ndryshohet?
Qorrolli: Thelbin e çoroditjes së dialogut politik Prishtinë – Beograd duhet ta lypim tek sëmundja kronike e Ballkanit për protagonizëm individësh dhe jo për strategji shtetërore të dialogut me një armik të dikurshëm, me të cilin të kërkohet të pajtohesh. Duhet një doktrinë e re kombëtare e dialogut me Serbinë dhe ajo duhet të bazohet në ristrukturimin e thellë të formatit aktual të këtij dialogu, që tashmë është klinikisht i vdekur. Fletarrestimet e Serbisë janë dëshmia më mirë e këtij keqkuptimi të madh mes palëve dhe paaftësisë së Brukselit që t’i trajtojë të dyja palët si të barabarta. Për t’u bërë ndryshe dialogu duhet emra dhe njerëz të tjerë nga ata aktualët, meqë punët e Kosovës kanë filluar të vështirësohen në arenën ndërkombëtare, sidomos pas rritjes së befasishme të partive të ekstremit të djathtë gjithandej Evropës të cilët, shumica sosh, janë kundërshtarë të krijimit të shtetit të Kosovës.
Së pari, dialogu Prishtinë – Beograd nuk mund të vazhdojë në pafundësi, pra duhet të ketë një dakordim paraprak të prioriteteve dhe të afateve, gjë që me këtë format aktual nuk i ka asnjërën. Afatizimi i dialogut është çelësi i suksesit të tij. Nuk mund të negociohet pa kufij dhe pa limite. Nëse qëllimi final i BE-së është traktati i paqes, pra pajtimi midis dy popujve e dy shteteve, atëherë ajo duhet t’i vë afat këtij dialogu se kur duhet të ndodhë ai pajtim.
Së dyti, dialogu ka nevojë për disiplinë mes palëve dhe kjo nënkupton që marrëveshjet e arritura deri më tash ose duhet të zbatohen 100% ose nuk duhet të nënshkruhen fare vetëm sa për sy e faqe. Një marrëveshje ose zbatohet në tërësi, nuk ka asnjë logjikë në marrëdhëniet ndërkombëtare që një marrëveshje bilaterale të zbatohet pjesërisht ose të mos zbatohet fare. Kjo duhet të marrë fund njëherë e mirë.
Së treti, një dialog mes shtetesh nuk mund të jetë kurrë teknik. Dialogu çdoherë është politik, prandaj përfaqësimi duhet të rritet, ose me shefat e dy shteteve ose në nivel kryeministrash.
Zëri: A mund ta presim njohjen nga Serbia?
Qorrolli: Në këtë moment të rritjes së fuqisë politike të presidentit Aleksandar Vuqiq kjo gjë është utopike. Serbia në rastin më të mirë do të detyrohet ta lejojë themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe gradualisht të largohet nga influenca ruse për t’u rreshtuar krah perëndimit si vlerë themelore të demokracisë dhe mirëqenies botërore. Dialogu duhet ta ketë epilogun e vet me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe pse jo anëtarësimin e Serbisë në NATO.
Zëri: Ju keni folur edhe për një “trinom të kalbur të sistemit të drejtësisë”. Mjekësi ligjore-prokurori-gjykatë. Çka propozoni ju që të bëhet në këtë drejtim?
Qorrolli: Keqkuptimi më i madh që i bëhet Kosovës në vitin e nëntë të pavarësimit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare sot është pikërisht mungesa e sundimit të ligjit dhe niveli shqetësues i krimit dhe i korrupsionit. Kosova e ka problem themelor pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, duke qenë se kjo drejtësi është skajshmërisht joefikase. Kjo elitë politike nuk ka qenë e aftë t’u sigurojë kushte dhe më pas t’u mundësojë gjyqtarëve të prodhojnë drejtësi të besueshme. E meta më e madhe në çdo raport dhe në çdo vlerësim ndërkombëtar që i është bërë Kosovës është joefikasiteti në sundimin e ligjit.
Por duhet thënë që ky sundim i ligjit është vetëm njëri prej dështimeve të përbashkëta të kosovarëve dhe të ndërkombëtarëve. Prandaj ky dështim është sekreti i kontestimit ndërkombëtar të Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit. Pas këtij dështimi sistematik të nëntë vjetëve të para të shtetit, përfundimisht ka ardhur koha të kuptohet se krimi dhe korrupsioni nuk luftohen me mjete konvencionale, siç janë strategjitë e bukura të thurura në letër, konferencat e tryezat e rrumbullakëta apo edhe institucionet ekstra-legale të krijuara sa për makijazh. Por, korrupsioni dhe krimi luftohen ekskluzivisht përmes identifikimit, hetimit, ndjekjes dhe gjykimit të veprave penale të korrupsionit. Këtë duhet ta bëjnë vetëm prokuroritë dhe gjykatat. E para, duke i ndjekur, e dyta, duke i dënuar pamëshirshëm abuzuesit e parasë publike.
Për t’u bërë realitet kjo gjë duhet që politika mos t’i fusë duart në prokurori dhe në gjyqësor, me asnjë kusht. Kosovës i duhen heronjtë, jo të rremë si politikanët, por aso të vërtetë, prokurorë dhe gjykatës me pavarësi dhe me integritet të lartë profesional. Ligjet aktuale që e lejojnë përfshirjen e policisë në hetime duhet të ndryshojnë meqë Policia është një institucion në varësi direkte të politikës, prandaj sa ma parë duhet të krijohet policia gjyqësore, e cila do të ishte në varësi direkte të gjykatave.
Aktualisht të gjitha hetimet bëhen nga policia dhe shumë pak prokurorët marrin iniciativë për t’i hetuar detajet e veprave të rënda kriminale. Kontrolli i korrupsionit dhe minimizimi i tij është i mundur vetëm nëse rriten kapacitetet njerëzore dhe buxhetore të institucioneve të pavarura si Prokuroria dhe gjykatat.
Përndryshe aleatët tanë perëndimorë, veçanërisht SHBA-ja, do të na kërkojnë njëjtë si Shqipërisë, ta nisim urgjentisht procesin e vetingut në mënyrë që të pastrohen edhe organet e drejtësisë nga elementët e papastër dhe abuzues.
Krimi dhe korrupsioni janë fenomene të cilat në Kosovë ndodhin kryesisht për shkak të pasigurisë së politikës për t’u marrë me to. Nuk mjaftojnë ligje të mira në letër dhe prokurorë e gjyqtarë të aftë. Mjafton vullneti, dëshira dhe guximi për t’i trajtuar fenomenet më kancerogjene të shoqërisë sonë.
Kosova e ka historinë e saj kushtetuese dhe ligjore jashtëzakonisht të varfër. Fajtorë për këtë janë të gjithë akterët e përfshirë në jetën publike, të cilët janë marrë me mirëqenien e tyre personale para se të merren me atë shtetërore. Në Kosovë aktualisht kemi një prodhim mekanik të drejtësisë, i cili është proces tejet i rrezikshëm për fatin e shtetit dhe të njerëzve. Kjo për shkak se varfëria e sistemit politik dhe veçanërisht atij të drejtësisë është shndërruar në thesar për të fortët, të pasurit dhe të pushtetshmit.
Zëri: Së fundmi kemi pasur deklarata nga Shqipëria por edhe Kosova, që nëse BE vonohet me Kosovën, atëherë do Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë. Si i komentoni ju këto deklarata?
Qorrolli: Kryeministri shqiptar, Edi Rama deklaronte në vizitën e tij Beograd pas incidentit të famshëm të dronit, që Ballkani ka prodhuar tradicionalisht shumë heronjtë të rremë. Kjo është saktësisht ajo nevoja për kënaqësinë e protagonizmit politik të cilin z. Rama pavetëdijshëm e pohoi vet. Në mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, të ekonomive të centralizuara nga pushtetet politike në Tiranë dhe Prishtinë, në pamundësi reale të ballafaqimit me zbrazjen për çdo vit të Shqipërisë dhe Kosovës nga mijëra qytetarë në drejtim të një jetë me të mirë në perëndim – fabulat për bashkim mes dy shtetesh duhen.
lexuar si dëshira të pamundura politike. Edhe z. Rama edhe z. Thaçi janë të mërzitur nga “kushtet e renda” të përcaktuara nga BE për t’u bërë pjesë e saj. Klubet elite si BE funksionojnë në baze të rregullave strikte prandaj demokracitë si ato të perëndimit kanë vështirësi të thella për popujt që kanë jetuar nën universin komunist. Deklaratat e tilla i provokojnë vetëm sentimentet nacionaliste brenda popullit shqiptar, kur dihet se ky është vit zgjedhor në Shqipëri, por assesi këto deklarata nuk paraqesin ndonjë kërcenim real për Brukselin.



