“Sëmundja e zemrës më detyroi të lija futbollin” – Lorik Cana
Lorik Cana ndodhet në Shqipëri, ku po ndjek kursin përkatës për trajner dhe menaxher futbolli, si dhe po ndjek implementimin e një projekti të fushave të futbollit.
Pasi i ka “varur këpucët në gozhdë”, ish-kapiteni ynë kuqezi ka vijuar kompletimin në një anë tjetër profesionale, që ka të bëjë po me këtë sport.
Ai po shijon tashmë ditë të plota pranë familjes, nuses dhe djalit, duke kompensuar mungesat e kohës që ishte në aktivitet, me disa klube të ndryshme europiane.
Ishin këshillat e mjekëve për të mos vazhduar, ato që determinuan edhe në marrjen e vendimit për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur pas finaleve të “Euro 2016”.
Në fakt mjekët e këshilluan atë të mos luaj në Kampionatin Europian por ai pavarësisht këshillave të tyre, Cana luajti edhe një vit, deri sa përfundoi edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian të futbollit.
Angazhimet e tij të fundit e kanë mbajtur të lidhur me futbollin. Ai do të nisë realizimin e fushave të sportit për fëmijët në Tiranë dhe më pas edhe në bashki të tjera, si projekti i parë i fondacionit që mban emrin e tij.

Ky nuk do të jetë angazhimi i tij i vetëm, teknologjia është një tjetër fushë, ku do të investohet nga futbollisti i njohur, gjithashtu çertifikimet për t’u bërë trajner janë në planet e tij të afërta.

Loriku është vëllai i madh i dy motrave, Laura dhe Lea 15-vjeçare. Ai nuk la pa përmendur edhe njohjen me Monikën në një restorant në Itali dhe sesi një rastësi e bukur solli në jetën e tij shpirtin binjak.
“E pashë rastësisht në një restorant në Romë, i lashë numrin tim të telefonit kamerierit dhe ika. Erdha në Shqipëri për t’u grumbulluar për ndeshje. Monika më dërgoi pas disa ditësh një mesazh, ku më thoshte se këto mënyra kanë dalë nga moda, por mesa duket edhe pse jashtë mode mënyra ime funksionoi”.




