Majlinda Kelmendi: Dua t’i tregoj botës se jemi të barabartë

Majlinda Kelmendi: Dua t’i tregoj botës se jemi të barabartë

Në Rio de Janeiro flamuri i Kosovës do të valëvitet për herë të parë në Lojërat Olimpike. Madje do të mbahet nga një atlete që mbetet pretendentja kryesore për medaljen e arit në sportin ku ajo garon

. Majlinda Kelmendi është kampione e dyfishtë botërore në sportin e Xhudos, e vlerësuar madje edhe si më e mira e çdo lloj kategorie në vitin 2014, ndërkohë që ka ribërë të sajin titullin e kampiones së Europës, pasi dëmtimet e penguan atë të garonte përgjatë pjesës më të madhe të vitit 2015.

“Ishte një vit i vështirë, por u riktheva fuqishëm”, thotë ajo pas një seance stërvitore në sallën e Xhudos që ndodhet në pyjet e Pejës, vendlindjes së saj.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që Majlinda merr pjesë në një Olimpiadë. Në Londër, ajo përfaqësonte ngjyrat e Shqipërisë, por nuk arriti të siguronte një vend mes medalisteve, duke e lënë atë me ndjenja të përziera se cilin flamur duhej të mbante në Brazi, sërish atë të Shqipërisë apo të Kosovës.

“Dua të përfaqësoj Kosovën si një shtet i ri, në mënyrë që ta promovoj atë. Por nuk kam shumë dëshirë të flas për këtë, thjesht dua të fokusohem në stërvitje dhe në sportin tim. Në Londër isha mjaftueshëm e përgatitur dhe e fortë, por u përfshiva thellësisht nga mendimet se çfarë do të thoshin njerëzit nëse fitoja apo humbisja. Më pas, kur Rio të mbarojë, mund të flasim sesi u ndieva si flamurmbajtëse e delegacionit të vendit tim” tha Majlinda.

Pavarësisht vendosmërisë së Majlindës për t’i vënë kapakun ndjenjave të saj, ky është një moment tepër i rëndësishëm për Kosovën. Pavarësia e këtij vendi mbetet ende e panjohur nga më shumë se 80 vende të Kombeve të Bashkuara, përfshi këtu Kinën, Indinë, Rusinë, e madje edhe të vet vendit organizator të Olimpiadës së këtij viti.

Pjesëmarrja në Rio u bë e mundur vetëm sepse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e pranoi Kosovën si vend anëtar në fund të vitit 2014. Ai vendim inkurajoi edhe organizata të tjera qeverisëse të sporteve të ndryshme për të ndjekur të njëjtin hap, siç bënë së fundi edhe UEFA dhe FIFA me njohjen e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Shpërndaje në: