Lipa paralajmëron se Prishtinës do t’ia sjell atmosferën e një koncerti evropian
E saktë në kohë dhe e buzëqeshur, këngëtarja kosovare tani me nam botëror, Dua Lipa, ka dalë para medieve në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” fill pas arritjes së saj në vendlindje.
E veshur me një fund të zi dhe me një bluzë kaltër e jeshile, Lipa pasditen e së dielës ka shpalosur detaje të koncertit të saj në Prishtinë, që do të mbahet të martën në parkun e Gërmisë.
Bashkë me anëtarët e bendit të saj dhe të atin, Dukagjin Lipa, këngëtarja që vjen në Prishtinë pas një turneu të gjatë koncertesh, ka premtuar se do t’i sjellë risi kryeqytetit kosovar. Fillimisht ka thënë se është shumë e lumtur që vjen në Kosovë pas katër vjetësh. Dhe ka thënë se e pret me padurim koncertin.
“Mezi po pres të mbaj koncert me anëtarët e bendit tim”, ka thënë Lipa, e cila ka bërë me duar simbolin e shqiptarëve – shqiponjën. Teksa ka folur për koncertin, ajo ka paralajmëruar risi
“Do të këndoj shumë këngë nga albumi që nuk është publikuar ende. Do të jetë një koncert më i gjatë sesa koncertet e tjera. Do të mundohem të këndoj sa më shumë këngë që i kemi të ushtruara”, ka thënë Lipa. Ajo po ashtu ka thënë se nuk është përgatitur të këndojë në shqip.



