VV: Fitorja e Majlinda Kelmendit lajm i mirë për të gjithë qytetarët

VV: Fitorja e Majlinda Kelmendit lajm i mirë për të gjithë qytetarët

Urimeve të shumta dërguar xhudistes kosovare, Majlinda Kelmendi, e cila mbrëmë i solli medaljen e parë të artë Kosovës në Lojërat Olimpike, i është bashkuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në urimin e postuar në faqen zyrtare në Facebook, Vetëvendosje thotë se ky është një lajm i gëzueshëm, jo vetëm për dashamirët e sportit, por për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! uron Majlinda Kelmendin për medaljen e artë, e cila është medalja e parë olimpike për Kosovën. Ky është një lajm i gëzueshëm jo vetëm për dashamirët e sportit, por për gjithë qytetarët e Kosovës. Pjesëmarrja e sportistëve tanë në Rio 2016 pa dyshim se është shans për ta që ta avancojnë sportin tonë, por në anën tjetër mbetet shqetësuese mungesa e përkrahjes për sportin nga Qeveria jonë”, thuhet në këtë urim.

VV thotë se dëshiron të uroj edhe sportistët e tjerë të Kosovës që po marrin pjesë në këto lojëra olimpike.

Duke iu dëshiruar suksese olimpistëve kosovarë, Vetëvendosje thotë se beson që në të ardhmen të bëhet me shumë për sportin, e veçanërisht në drejtim të unifikimit të ligave dhe bashkëpunimit mes federatave në nivel kombëtar.

“Kjo do të ndikonte në rritjen e cilësisë së sportit dhe në suksese më të mëdha të sportistëve tanë”, thuhet në fund. /Periskopi/

Shpërndaje në: