Majlinda Kelmendi dridh mediet ndërkombëtare
“Majlinda Kelmendi bëri histori në Rio de Janiero”. Kështu ishin shumë kryetituj të medieve më të mëdha botërore. “Medalja e artë e para për Kosovën”, u shndërrua gati në slogan të secilit postim nëpër rrjete sociale. Rreth 3 miliardë shikues u njoftuan me flamurin e shtetit më të ri të Evropës. Mediumet më të njohura botërore i kanë dhënë vlerë historike arritjes së saj, duke theksuar edhe pjesëmarrjen e parë si dhe flamurin nën të cilin ka garuar.
“Ajo ishte vajza e artë e xhudos”, me këto fjalë gjigandi amerikanë CNN e fillon lajmin për fitoren e xhudistes kosovare. “Majlinda Kelmendi ka bërë historinë në Rio de Zhanjero të dielën, duke u bërë sportistja e parë nga Kosova që fiton medalje olimpike”, shkruan CNN-ja.
Po ashtu ky medium i ka kushtuar vëmendje faktit që sportistët kosovarë kanë garuar për herë të parë nën flamurin e tyre. “Kjo është hera e parë në Olimpiadë që sportistët mund të garojnë nën flamurin e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008”.



