Analisti: Partitë po frikësohen nga Hashim Thaçi
Analisti politik, Astrit Gashi duke folur për koalicionet parazgjedhore ka thënë se partitë politike nuk po i bëjnë publike koalicionet e mundshme nga frika e Hashim Thaçit.
“Asnjëra parti nuk po ia tregon askujt të drejtën. Kanë frikë të bazuar se nëse e tregojnë se me kë shkojnë në koalicion, Hashim Thaçi mund t’i prishë dhe t’i bëjë koalicione të reja”.
Gashi që është i ftuar në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se LDK dëshiron t’i hakmerret PDK-së dhe Kadri Veselit.
“Ka një dëshirë të jashtëzakonshme nga ana e LDK-së për ta ndërtuar një koalicion që do t’ia mundësonte hakmarrjen ndaj Kadri Veselit. Me kë mund ta realizojë këtë LDK-ja, është e vështirë”.
Ai ka thënë poashtu se një koalicion i mundshëm parazgjedhor LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje është i vështirë.
“LDK vështirë të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Agim Veliu e ka përjashtuar një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. E shoh më të mundshëm një koalicion mes LDK-së dhe AKR-së, përfshirë edhe Alternativën”.
Sipas tij, në Kosovë megjithatë nuk ka frymë ndryshimi.
“Nuk ka ajër, nuk ka frymë ndryshimi, sot për sot. Nëse arrihet në koalicion LDK -AKR dhe Alternativa dhe disa të tjera, atëherë mendoj se PDK do ta ketë problem dhe duhet ta ndërtojë në shpejtësi një koalicion”.



