Dorëzohet Rama? Ja çfarë pritet të ndodhë sot
Sot është një ditë e rëndësishme për krizën politike në vend si dhe për fatin e zgjedhjeve.
Pas propozimit të paketës nga DASH si duket opozita është dakord mbi kushtet por Kryeministri Rama nuk ka pranuar shtyrjen e zgjedhjeve.
Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se negociatat do të vazhdojnë edhe ditën e sotme kur pritet që palët të bien dakord mbi fatin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një lëshim të vogël për sa i përket shtyrjes së datës së zgjedhjeve deri në fund të qershorit, por nga ana tjetër opozita kërkon që zgjedhjet të shtyhen deri në vjeshtë.
Deputeti i PD-s, Oerd Bylykbashi duke iu referuar Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës sqaroi se ka dy periudha ku mund të mbahen zgjedhjet.
Ai thotë se data 18 qershor e dekretuar nga Presidenti Nishani për zgjedhjet parlamentare është thjesht ligjore dhe jo kushtetuese.
Sipas tij, periudhat zgjedhore në Kodin Zgjedhor (pra në ligj dhe jo në Kushtetutë) janë dy: e pranverës 15 mars – 30 qershor dhe e vjeshtës 15 shtator – 30 nëntor.



