Kukësi bileta më shtrenjtë se në Europa League ndaj Skënderbeut

Kukësi bileta më shtrenjtë se në Europa League ndaj Skënderbeut

Kukësi thuajse gjatë gjithë sezonit ka aplikuar hyrjen e lirë pa bileta për tifozët e saj, por mesa duket në ndeshjen e fundit, gjërat mesa duket do të ndryshojnë. Sfida ndaj Skënderbeut shihet si një mundësi e mirë për të arkëtuar të ardhura të mira nga biletat, teksa drejtuesit e ekipit verlindor kanë vendosur çmime të kripura.

Si rrallëherë, edhe për të parë ndeshjen nga tribuna ballore në stadiumin “Zeqir Ymeri’, tifozët e thjeshtë do të duhet të paguajnë 1 mijë lekë të reja.

Çmime kaq të larta Kukësi nuk ka vendosur as kur ka luajtur ndeshje shumë të rëndësishme në Ligën e Europës, ku ka marrë pjesë rregullisht në sezonet e fundit.

NJOFTIMI

FK Kukësi komunikon se biletat e spektatorëve për ndeshjen Kukësi-Skënderbeu në stadiumin “Zeqir Ymeri” do të jenë të gjitha me pagesë. Çmimet janë si më poshtë:

Tribuna përballë: 1000 lekë të reja

Tribuna kryesore: 2000 lekë të reja

Çmimet e biletave do të jenë pa dallim ndërmjet tifozerisë vendëse dhe asaj mike. Ne nuk do të bëjmë asnjë diferencim, duke respektuar në maksimum mysafirët. Në dispozicion do të lëmë 300 vende për tifozët korçarë.

Këto ditë, si klub organizator, kemi marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e takimit, duke u kujdesur për policinë, ambulancën, zjarrfikësen dhe çdo gjë tjetër në funksion të sigurisë në stadium.

Ndërkohë, duke marrë parasysh faktin se ndeshja e së shtunës (17:30) është më e rëndësishmja e këtij sezoni jo vetëm për FK Kukësin, por edhe për gjithë kampionatin shqiptar, theksojmë se shumë biznesmenë kuksianë kanë shprehur dashamirësinë dhe gatishmërinë e tyre për të paguar biletat për tifogrupet tona.

NUK DO TË KETË BILETA FALAS!

Biznesmenët e afruar pranë klubit, duke mos dashur të privojnë tifozerinë kuksiane nga kjo supersfidë, kanë blerë me qindra bileta dhe hyrja në stadium do të jetë VETËM me bileta. Tifozët tanë le të përfshihen me tifogrupet për të përfituar biletat, gjë që vlen edhe për Skënderbeun, nëse kanë dëshirën të paguajnë paraprakisht si klub apo nëpërmjet biznesmenëve të ndryshëm

Shpërndaje në: