Tentoi të ngjitet në kullën e Trumpit, arrestohet

Tentoi të ngjitet në kullën e Trumpit, arrestohet

Një 20-vjeçar, mbështetës i flaktë Donald Trump, zgjodhi një mënyrë tepër të çuditshme për t’i rënë në sy kandidatit të tij të zemrës.

I riu u pa teksa ngjitej në Kullën Trump duke përdorur kupa thithëse e litarë.  Ai arriti të ngjitej deri në katin e 21-të të kullës prej 58 katesh, ku policët e tërhoqën atë brenda ndërtesës.

Më vonë, në një konferencë të Departamentit të Policisë së New York, u bë e ditur se 20-vjeçari nuk kishte aspak qëllim të lëndonte dikë. Misioni i tij i vetëm ishte një takim me Trump.

Sipas policisë, i riu i është nënshtruar testeve për vlerësim psikiatrik në Spitalin Bellevue dhe ka gjasa edhe të arrestohet. Djaloshi, emri i të cilit është Stephan Rogata, jetonte në Virginia dhe kishte ardhur në New York vetëm një ditë para se të ngjitej në Kullën Trump.

Të martën, Rogata kishte publikuar një video në YouTube ku ishte prezantuar si një kërkues i pavarur.

Në video, ai kërkonte falje për mënyrën e pazakontë të prezantimit si dhe kërkonte një takim privat me Donald Trump për të diskutuar një çështje tepër të rëndësishme. Në mbyllje të videos, Rogata inkurajoi të gjithë shikuesit të votojnë për Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Shpërndaje në: