Hamdi Salihi kërkon falje: Veprim i nxituar, ndikuan nervat e lojës
Pas dënimit nga ana e Komisionit të Disiplinës, vjen edhe reagimi i Hamdi Salihit. “Bomberi” shkodran ka dhënë një prononcim për sajtin zyrtar të Skënderbeut, ku ka shprehur pendesë për gjestin që bëri në ndeshjen kundër Kukësit, ku i grisi kartonin arbitrit Enea Jorgji shkruan Sportal.
Salihi ka deklaruar se ai ishte një veprim i nxituar, por që erdhi pas tensionit të lojës pasi gjithë ekipit po i hidhej poshtë mundi dhe sakrifica, teksa në fund i kërkoi falje klubit të Skënderbeut dhe tifozëve bardhekuq. Ja deklarata e tij.
“Më vjen keq, vërtetë për atë çfarë ndodhi në fushën e lojës, në atë përballje finale. Tensioni, presioni dhe nervat e lojës janë në nivele shume të larta, pasi po shikonim që mundi dhe sakrifica jonë po hidhej poshtë nga një individ, por duhej të ruanim qetësinë dhe të vazhdonim lojën me ato mundësi që kishim. Më vjen keq për veprimin e nxituar, por nervat e lojës ndikuan shumë. Ai nuk është një veprim shëmbull për të ardhmen e futbollit, ashtu siç nuk janë dhe provokimet që na u bënë në fushë. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, në veçanti të tifozëve të Skënderbeut, pasi siç dihet, natyra e vërtetë e Salihit, por edhe e gjithë klubit të Skënderbeut nuk është ajo që u pa në Kukës”, ishin fjalët e Hamdi Salihit



