Kryetari i “Plisave”: Prishtinali këqyrni mirë kë po e votoni

Kryetari i “Plisave”: Prishtinali këqyrni mirë kë po e votoni

Të dielën e 11 qershorit do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ndërsa kryetari i “Plisave”, Albert Kastrati – “Tigri”, u ka bërë thirrje prishtinasve të këqyrin mirë dhe të mendojnë mirë se kë po e votojnë, shkruan sot gazeta Zëri.

Numri 1 i “Plisave” u ka bërë thirrje këtyre tifozëve dhe gjithë prishtinasve që t’i votojnë ato parti politike që planprogram kanë përmirësimin e infrastrukturës sportive në kryeqytet, e cila tash për tash është në gjendje të mjerueshme apo kaotike.

“Qe sa vjet pas luftës KF Prishtina nuk ka fushë ndihmëse, ndërsa krejt qytetet tjera i kanë. Në secilën lagje është dashur të jetë nga një fushë e futbollit për KF Prishtinën, gjithë ata futbollistë prej moshës 5 vjeç qe një vit u duhet të udhëtojnë me kilometra herë në një vend e herë në vendin tjetër për të bërë ushtrime”, ka shkruar Kastrati në “Facebook”.

Image

“KB Prishtina tash duhet të luajë në Ligën e Kampionëve, ndërsa kjo sallë në të cilën luan e ushtron shfrytëzohet edhe prej klubeve të tjera. Duhet të pyesim se çka është duke ndodhur me Pallatin e Rinisë, kush është ka dëshiron ta qesë në emër të veten sikurse shumë ndërmarrje dhe objekte të tjera?! Ne duhet të kërkojmë që ky Pallat t’u takojë qytetarëve të Prishtinës, të cilët shumë vite kanë kontribuuar me lekë për ta ndërtuar”, ka theksuar “Tigri”.

Andaj, prijësi i “Plisave” këshillon dhe apelon prishtinasit të mos i votojnë ata që nuk i premtojnë me sinqeritet kryeqytetit infrastrukturë sportive.

“Partitë duhet të premtojnë se në secilën lagje kanë për ta bërë nga një fushë të futbollit për KF Prishtinën e po ashtu për basketboll, tenis, etj., për ekipet dhe banorët e lagjeve. Partitë që i vendosin në program këto duhet të garantojnë se do t’i realizojnë, kurse ne të logjikojmë mirë se a po rrejnë  apo jo, e pastaj t’ia japim votën”, ka potencuar ai.

Image

 

Shpërndaje në: