Religjion: Pozita e Kuranit në Islam

Religjion: Pozita e Kuranit në Islam

Kurani është zemra e Islamit, përkatësisht religjionit më të ri në botë, i cili është aktiv për më shumë se 15 shekuj. Myslimanët, Kuranin e besojnë si fjalë të Zotit tekstualisht dhe përmbajtësisht. Kurani nuk është Zoti, por fjala e Tij, gjegjësisht të folurit e Tij.

Mesazhi kryesor të cilin e përmban Kurani është njeriu dhe më pas e gjithë krijatura e Tij. Kurani është bazuar në fenë konkrete -Islamin, e cila si fe është zhvilluar e pavarur që nga shekulli VII-të. Kurani thekson se feja ka kuptim vetëm nëse është e bazuar mbi vullnetin e lirë të çdo njeriu. Kurani Zotin nuk e konsideron vetëm të myslimanëve, por si Zot universal. Pjesa më e madhe e përmbajtjes së fesë së një myslimani rrjedh nga Kurani. Prandaj, Kurani duhet të trajtohet jo vetëm si burim i fesë së myslimanëve, por edhe si përmbajtës i fesë së tyre.

Kurani ka marr formën e tij të shkruar në gjuhën arabe në shekullin e VII-të. Fjala Kuran ka kuptimin e recitimit dhe leximit. Në brendësinë e tij janë gjithsejtë 114 kaptina të gjatësive të ndryshme. Lënda e brendshme e Kuranit përmban shumë trajtesa të rëndësishme si; mësime për Zotin, për botën, natyrën, djallin, përfundimin e botës, rrethanat e limituara të krijesave, orientimi i drejtë dhe i zhdrejtë i njeriut në jetë, shpërblimi i botës së përtejme për punëmirët dhe dënimi për keqbërësit etj. Në Kuran, qëndrimi ndaj Zoti dhe destinacionin final i botës dhe universit janë dominuese. Kurani nuk është mësim i strukturuar përgjatë linjave të modeleve logjike dhe të kuptuara lehtë nga njeriu. Ai nuk ndjek një tregim nga fillimi deri në fund. Fletat e Kuranit i prezantojnë lexuesit shumë shtresa, nivele dhe plane të fjalës së Zotit. Deri më tani , interpretimet e Kuranit kanë zbuluar dhe pranuar shumë shtrije të tij si; ato teofanike, es-hatologjike, kosmologjike, etike dhe antropologjike. Myslimanët, mesazhin e Kuranit e pranojnë si fjalë të përjetshme të Zotit (Verbum Dei), si një thirrje absolute e cila është transmetuar tek njerëzimi përmes Muhammedit a.s., i dërguar i Zotit ( 570-632), diktimin e të cilit e ka bërë engjëlli Xhibril (Angel Gibril or the Holy Spirit).
Zoti, Kurani dhe Muhamedi a.s si krijesë njerëzore, janë zinxhiri ose rendi i dorëzuar të cilin myslimanët e njohin si drejtim vertikal, si dhe si mesazh absolut i ardhur nga përjetësia për nivelet e kohës dhe sferat e historisë.
Nga perspektiva islame, Zoti asnjëherë nuk e shfaq veten si person, individ, formë apo imazh. Ai e shfaq veten përmes dërgimit të fjalës së tij tek njerëzimi ose përmes krijesave të tij të panumërta në universin e pafund.
Qenia dhe madhështia e Zotit, Allahut në gjuhën e Kuranit, mbetet e fshehur në thellësitë e zymtësisë qiellore, por në të njëjtën kohë i shfaqur në univers, natyrë, botë dhe histori. Ai është shumë i pranishëm, ashtu siç thekson edhe Kurani edhe në rrahjet e zemrës të cilat i ndiejmë dhe i prekim përmes arterieve të gjakut në qafen tonë.
Njëri nga mesazhet më të fuqishme që përmban Kurani është ai se Zoti është transcendental (el-batin) dhe imanent ( edh-Dhahir) realitet, dhe se Ai është pafundësisht i manifestuar në të gjitha botët. Paraqitja e parë e proklamimit të Zotit është bërë përmes dërgimit të fjalës së Tij tek krijesa njerëzore. Zoti e ka proklamuar fjalën e Tij përmes profetëve si; Ibrahimit, Musas, Davudit, Isas, Muhamedit etj.
Të jesh mysliman, do të thotë të besosh në vazhdimësinë monoteiste të proklamimit të Zotit, të besosh në të gjitha librat e Zotit, si dhe në të gjithë të dërguarit dhe profetët e Tij. Në këtë sens, Islami është një valë e madhe dhe fuqishme e spiritualitetit, i cili në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë përkujton ekzistencën e një Zoti të vetëm, si dhe kuptimin e besimit në një Zot për gjithë njerëzimin. Më saktësisht, është një vazhdimësi e mesazhit monoteist i cili Islamin e bënë të hapur ndaj Hebraizmit dhe Krishterimit , dhe që veten e konsideron jo vetëm si trashëgimtar, por edhe si rinovues të freskët të monoteizmit historik.
Nëse Kurani ka një mesazh të përgjithshëm , ai është si vijon: (Vetëm Zoti absolut është i mundshëm që të jetë Një dhe i vetëm). Në fakt, Kurani në mënyrë konstante dhe fuqishëm ia përkujton njerëzimit se Zoti është një Zot, dhe se nuk ka zotë tjerë përveç një Zoti.
Sipas Kuranit, forma e dytë e proklamimit të qenies dhe madhështisë së Zotit do të duhej të kërkohej tek kozmosi i pafund, universi, natyra, shpirti, ndërgjegjja. Mistikët mysliman, shenjat e Zotit- ajatu-llah i kanë përkufizuar në shprehjen e tyre të njohur, Kurani është natyrë që fletë, ndërsa natyra është Kuran i cili heshtë.
Me që Kurani është fjalë e Zotit, atëherë çfarë është Islami dhe ku është vendi i njeriut në të?
Pse duhet që Islami të shqetësoj njeriun?
Islam, do të thotë përkushtim i të gjitha krijesave,ose përkushtim i njeriut, dorëzim ndaj Krijuesit një dhe të vetmit që është Zoti. Kurani deklaron se qiejt dhe toka janë të përkushtuara ndaj Zotit, dhe e falënderojnë Atë në mënyrën e vet specifike. Islami është një nga sagat e Zotit, që nënkupton përkushtimin dhe dorëzimin e të gjitha krijesave ndaj një Zoti të vetëm. Një sagë kjo e ripërsëritur shumë herë në faqet e Kuranit. Kurani e afirmon Islamin në mënyrë shumë të qartë dhe të hapur si një marrëdhënie fondamentale mes Zotit dhe krijesave të Tij. Islami i Kuranit në mënyrë eksplicite është modus operandi, specifik i ekzistencës së universit, e botës dhe gjithë jetës.

Islami si fe e Myslimanëve
Faqet e Kuranit nuk kanë shqetësim vetëm Islamin kozmik , ose Islamin e universit. Në faqet e Kuranit shumë qartë shohim motivet e fuqishme të cilat Islami i demonstron, ofron dhe formulon si fe konkrete. Përveç Islamit kozmik dhe universal Kurani poashtu përmban një Islam konkret dhe human, një Islam të një individi i cili është mysliman. Fjala arabe “ Muslim” ka kuptimin e personit të përkushtuar dhe të dorëzuar ndaj vullnetit të Zotit. Kurani në shumë faqe të tij paraqitet si një libër themelues i një feje konkrete, në këtë rast Islamit. Një feje e cila që nga shekulli i VII-të është ankoruar ngushtë si etnitet specifik religjioz.

Si do të duhej të lexohej Kurani në dritën e pranishmërisë plurale të religjioneve?
Është e dukshme se, Kurani nuk e fsheh afinitetin e tij për myslimanët, mirëpo në të njëjtën kohë Kurani adreson edhe sekretin se pse ekzistojnë kaq shumë fe në kërkim të Zotit.
Në shumë vende, Kurani aludon në faktin se besimi në Zot ka kuptim vetëm atëherë kur është rezultat i zgjedhjes së lirë të individit. Imponimi do të anulonte aktin e lirisë njerëzore si dhe lirinë zgjedhjes. Pjesët e Kuranit, në të cilat Islami diskutohet si fe specifike e njerëzimit mysliman janë përplot me manifestime universale të Zotit. Zoti i Kuranit nuk është Zot vetem i myslimanëve, por është Zot universal.” Krijues dhe Zot i të gjithë botëve”(I-1). Kjo më së miri shihet edhe në ajetin vijues : “Ata që besojnë (në Kuran), dhe ata të cilët ndjekin (shkrimet hebraike) të krishterët dhe sabi’inët kushdo prej tyre që beson Allahun dhe jetën tjetër, dhe bën vepra të mira do të shpërblehen nga Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo të pikëllohen!
( II-62)

Në njërën anë, fjala universale e Kuranit për Zotin rezulton nga vet natyra krijimtarisë së Zotit, si një mozaik madhështor i ndryshueshmërisë. Në kaptinën XXX ajeti 22 fakti i diversitetit njerëzor është i adresuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kurse në anën tjetër është realitet se Kurani është i bazuar në Islamin si besim dhe religjion të myslimanëve, si dhe si një segment specifik dhe i veçantë i njerëzimit.
Këto dy anë të Kuranit duhet të konsiderohen si një marrëdhënie dinamike.

Islami si fe kulturë dhe civilizim
Islami rrjedh nga faqet e Kuranit tek jeta njeriut, i cili është shndërruar në besim, ndërsa me kalimin e kohës është bërë kulturë dhe civilizim. Kurani luan një rol të jashtëzakonshëm për besimin e myslimanëve. Shumë nga përmbajtja e besimit dhe praktikës së një myslimani del nga faqet e Kuranit. Për shembull, shtyllat e Islamit : 1. Besimi në një Zot, 2. Besimi në Engjëj, 3. Besimi në librat e shpallura, 4. Besimi në të dërguarit e Zotit, 5. Besimi në ditën e gjykimit, 6. Besimi në caktimin e Zotit, janë drejtpërdrejtë të nxjerra nga Kurani. Gjithashtu përshëndetja e përgjithshme myslimane “ es-selam alejkum” ( Paqja qoftë mbi ju) rrjedh nga Kurani. Fëmija i porsalindur vjen me fjalët e Kuranit, por edhe përfundimi në varr i myslimanit përfundon me leximin e Kuranit. Kurani lexohet edhe në rastin e fejesave, martesave si dhe në festat dhe evenimentet tjera islame. Me fjalë tjera, Kurani nuk është vetëm burim i fesë së myslimanëve, por edhe përmbajtje e fesë së tyre. Gjithashtu, Kurani është pranuar si normë dhe si burim i rregullit dhe ligjit në shoqëritë tradicionale myslimane. Përgjatë historisë së tij, Islami ka krijuar tipin e vet religjioz, social dhe kulturor. Vendet tradicionale myslimane nga Maroku deri në Indonezi, nga Sahara e Afrikës e deri në jug të Siberisë, janë të njohura me kulturën dhe civilizimin specifik të Islamit, të pasuruara me shumë karakteristika regjionale dhe adaptime mbi respektin racor, linguistik dhe kulturor. Me Kuranin, myslimanët janë bërë popuj ithtar të Librit, ose trashëgimtarë të botës “el-Ehlul-Kitab”, një sintagmë që Kurani e përdor për tu adresuar hebrenjve dhe të krishterëve në formë nderimi dhe respekti. Me ardhjen e Kuranit, rrethi semitik ose rrethi i monoteizmit është mbyllur.
Hebrenjtë zgjeruan mesazhin e Testamentit të vjetër, të krishterët Testamentin e ri, ndërsa myslimanët Kuranin.
Lidhja tematike e këtyre tri librave të shenjta, të cilat erdhën në historinë e njerëzimit, si një trekëndësh mes Jerusalemit, Mekës dhe Medinës, kanë bërë një jehonë të fuqishme, në të kaluarën ashtu edhe tani, për lidhjen e tri botëve monoteiste: Hebraike, Krishtere dhe Islamike. Në këtë kontekst, është shumë me rëndësi të theksohet se aspekti universal i këtyre librave religjioze, edhe sot duhet të jetë një element nxitës dhe shtytës i dialogut dhe bashkëpunimit mes gjithë njerëzve pa dallim.
Në kohën sotme, Një Zot, nuk duhet të shërbejë si arsye për konflikt, pavarësisht nga sasia e pikëpamjeve të ndryshme njerëzore të cilat duken në thellësitë mavijosje të qiellit.
Islamic Magazine “ Hikma”, Quran in Islam” , by Akad.Enes Kariç
Shqipëroj nga anglishtja, Xhabir Hamiti

 

 

Shpërndaje në: