Hipokrizia e Gëzim Kelmendit: Përdor flamurin e Skënderbeut në fushatë, të cilin e mohon si hero kombëtar (Foto)

Hipokrizia e Gëzim Kelmendit: Përdor flamurin e Skënderbeut në fushatë, të cilin e mohon si hero kombëtar (Foto)

Skënderbeu nuk është hero kombëtar i shqiptarëve, kishte thënë kohë më parë kryetari i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi.

Kelmendi ka zhvilluar disa debate të ashpra televizive me historianë të vendit mbi figurën e Skënderbeut.

Deklarata të tilla të Kelmendit kishin zgjuar debat edhe në opinion.

Skënderbeun, Kelmendi e konsideron vetëm hero të katolikëve, duke i thënë figurës së tij karakter fetar, e duke ia mohuar karakterin mbarëkombëtar.

Ai gjithashtu kishte thënë se ka dyshime në prejardhjen e heroit kombëtar për shkak të nënës së tij dhe ekzistencës së shumë kombeve në Shqipërinë e asaj kohe.

Ndërsa, Perandorinë Osmane nuk e konsideron si një prej pushtuesve të shqiptarëve, por thoshte se bashkë me Perandorinë Osmane kanë bashkësunduar edhe shqiptarët.

“Ne kemi bashkësunduar me Turqinë dhe për këtë duhet të ndryshohet historia. Edhe ashtu historia që mësohet në shkolla nuk është shumë e vërtetë”, kishte thënë ish-deputeti Kelmendi.

Por, pikërisht flamurin kombëtar, apo siç njihet si flamuri i Skëndebeut, Kelmendi e ka bërë simbol të fushatës së tij për zgjedhjet e 11 qershorit.

Në profilin e tij në Facebook dhe në faqen zyrtare të partisë Fjala, Kelmendi po përdor po këtë flamur në fotografinë e kopertinës, bashkë me flamurin e Kosovës dhe me numrin e partisë që bartë në listë në zgjedhjet që po vinë.

Flamuri shqiptar e ka prejardhjen nga simboli i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili i udhëhoqi shqiptarët në një kryengritje të përbashkët në shekullin XV kundër Perandorisë Osmane, duke i sjell trojeve shqiptare pavarësinë për një kohë të shkurtër (1443-1478).

Shqiponja ishte pjesë e emblemës së familjes Kastrioti e cila e ka zanafillën në Perandorinë bizantine. /Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: