De Biasi ka një problem, kombëtarja po bëhet gati për Izraelin (Video)
Gianni De Biasi ka qëndruar fare pranë ekipit, duke vëzhguar me kujdes çdo ushtrim.
Kombëtarja po zhvillon përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Izraelit. Me grupin të plotë dhe 23 futbollistë në dispozicion, gjysmën e seancës stërvitore të paradites së të mërkurës, De Biasi u kujdes për detajet në rreshtimin e skuadrës.
De Biasi ka qëndruar fare pranë ekipit, duke vëzhguar me kujdes çdo ushtrim. Përgatitjet vijuan me skuadrën të ndarë në dy grupe, me ushtrime teknike dhe që i shërbejnë orientimit në fushë, me lojtarët që duhej të shënonin, pasi kishin ecur me topin në ajër.
Përzierja e lojtarëve konfirmon se trajneri ende po studion formën e kuqezinjve, përpara se të përcaktojë formacionin më 11 Qershor. Por, nëse për titullarët ka ende dyshime, stafi e ka të qartë që Shqipëria duhet të sulmojë.
Për këtë arsye, stërvitja u përqendrua te mënyra si dilet në sulm, me ushtrime që përfshinin krosime nga krahët dhe për të kalibruar shënjestrën drejt portës.



