Ky është fituesi i zgjedhjeve të 11 qershorit!

Ky është fituesi i zgjedhjeve të 11 qershorit!

Njohësi i çështjeve politike Behlul Beqaj, ka thënë se gjasat më të mëdha që të dal fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, i ka ndonjëri nga kandidatët e koalicioneve. Beqaj, megjithatë, gjasa i ka dhënë edhe Vetëvendosjes.

Beqaj në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”, ka thënë se ka përshtypjen se koalicionet nuk janë të sinkronizuara dhe çka është më e rëndësishmja sipas tij, ato nuk përshtatën njëra me tjetrën me programet politik. Fushata e koalicioneve është kuptuar më shumë si garë mes veti, ka thënë ai.

Beqaj ka thënë se partitë po i përdorin programet politike si mbulesa formale.

“Programet janë mbulesa formale të cilat nuk japin shpjegime adekuate pse kundërshtitë mes koalicioneve të një ideologjie janë më të mëdha se sa me Vetëvendosjen e cila i takon ideologjisë së qendrës së majtë. Në anën tjetër, Vetëvendosja edhe pse është e majtë, në qendër e ka individin e jo bashkësinë, nacionalizmin e jo internacionalizmin …?!”, tha ai.

Më poshtë keni intervistën e plotë me Belul Beqaj:

GazetaBlic: Duket se koalicionet e arritura në momentet e fundit kanë ndryshuar edhe rrjedhjen e fushatës zgjedhore. Deri më sot si i vlerësoni, fushatat e tre kandidatëve për kryeministër?

Belul Beqaj: Përshtypja është se koalicionet nuk janë të sinkronizuara. Laramania politike tregon se interesi për të ardhur në pushtet ka qenë më i rëndësishëm se sa sinkronizimi i programeve pavarësisht se koalicionet janë të ideologjisë së djathtë, në përjashtim të NISMËS. Fushata e koalicioneve është kuptuar më shumë si garë mes veti. Koalicioni PDK-AAK-Nisma, thekson përparësitë krahasimore karshi pafuqisë së lidershipit vendimmarrës të koalicionit LDK-AKR-Alterantiva, në njërën anë, dhe mënyrës së realizimit të qëllimeve politike dhe mosnjohjes së simboleve të shtetit nga ana e VV. Në anën tjetër, koalicioni LDK-AKR-Alterantiva, akuzon ish koalicionin si shkaktarë të dështimit dhe kapjes së shtetit, thuajse, deri dje ishte në koalicion me VV e jo me PDK-në. Kandidatët për kryeministër dallojnë sipas karakteristikave dhe motiveve pse janë propozuar. Kandidati i AAK-së, edhe pse paraprakisht caktoi “vija të kuqe” me PDK-në, tregoi se është i paepur për pushtet. Individi që shkel bindjet, parimet dhe premtimet e veta , do të sakrifikoj fillimisht partinë për të ardhur në pushtet, pastaj edhe çdo gjë, për të mbetur në pushtet. Prandaj, kam shumë dyshime se pushtetofobia e tij mund të shkaktoj dëme serioze në politikbërje. Kandidati i LDK-së, tregon disa cilësi profesionale dhe karakteristikat e liderit liberal. Por, është promovuar si hija e kryetarit që LDK-në e solli në nokdaun. Prandaj, konsideroj se profesionaliteti i tij do të jetë nën hijen e afërsisë me kryetarin. Kjo do të dëmtoj imazhin e tij edhe ashtu, fragjil duke marr parasysh faktin se ai po ndjek filozofinë e kryetarit autokrat të LDK-së, që s’është e vetëdijshëm se ka perënduar! Fundja, kandidati i Vetëvendosjes, s’do mend se është personaliteti më i ngritur intelektualisht. Është potenciali politik më serioz që ka Kosova. Por, mungesa e përvojës së politikbërjes në pushtet, qasja parimore karshi rolit ndërkombëtarë i cili kërkon vasalitet,dhe disa qasje kundërthënëse siç është në njërën anë “kapja e shtetit”dhe në anën tjetër kundërshtimi i GJSN, kundërshtimi i simboleve dhe institucioneve shtetërore,derisa vepron në kuadër të institucioneve… mund të jetë handikap serioz për suksesin e tij, nëse eventualisht zgjidhet për kryeministër.

GazetaBlic: Si i shihni listat për deputetë të partive politike, duke pas parasysh edhe prurjet e reja në secilën parti, a besoni se do të kenë impakt brenda partive këto prurje?

Belul Beqaj: Listat dominojnë nga kandidatët që e kanë sjell Kosovën në këtë gjendje. Prandaj, gjasat për prurjet e reja për të sjell ndryshime janë minimale. Do të konsideroj sukses nëse ata nuk tretën në strofullat e deputetëve me “përvojë”.

GazetaBlic: Mos realizimi i debatit mes tre kandidatëve për kryeministër, a besoni se e varfëron fushatën elektorale dhe e humb një mundësi që qytetarët të shohin përballjen direkte të alternativave qeverisëse që ofrojnë tre kandidatët?

Belul Beqaj: Kandidatët, gjithsesi do të përballen, por edhe nëse kjo nuk ndodhë, mendoj se ky nuk do të ishte handikap,meqë të tre kandidatët janë derivate të ideologjive dhe sjelljeve politike që kanë shkaktuar zgjedhjet e parakohshme.

GazetaBlic: Programet politike të partive, a besoni se ofrojnë zgjidhje adekuate për problemet që kanë qytetarët, si zhvillimi ekonomik, sistemi arsimor, ai i shëndetësisë etj.?

Belul Beqaj: Programet janë mbulesa formale të cilat nuk japin shpjegime adekuate pse kundërshtitë mes koalicioneve të një ideologjie janë më të mëdha se sa me Vetëvendosjen e cila i takon ideologjisë së qendrës së majtë. Në anën tjetër, Vetëvendosja edhe pse është e majtë, në qendër e ka individin e jo bashkësinë, nacionalizmin e jo internacionalizmin …?!

GazetaBlic: Me koalicionet momentale a besoni se rezultati i zgjedhje të këtij viti do të ketë ndryshim të madh nga rezultati i zgjedhjeve të kaluara?

Belul Beqaj: Rezultatet, s’do mend, do të jenë shumë të përafërta. Rezultatet do të ofrojnë shumë kombinime që mund të shkaktojnë edhe shkuarje në zgjedhje të reja!
Kjo është pasojë e obsesionit të pushtetofobisë, e jo gatishmërisë për të qenë në shërbim të qytetarit. Pra, nuk është reale të priten ndryshime kualitative në politikbërje, por vetëm të politikbërësve të paepur për pushtet.

GazetaBlic: Për secilin prej kandidatëve në rast se fiton zgjedhjet, a mund të parashihni cilat mund të jenë sfidat për realizimin e qeverisë dhe sfidat qeverisëse që mund t’i përcjellin secilin prej tyre?

Belul Beqaj: Shkaqet pse po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme janë sfidat kryesore , demarkacioni, asociacioni, GJNS, korrupsioni, krimi i organizuar, transformimi i FSK, dialogu me Serbinë…

GazetaBlic: Cili nga kandidatët për kryeministër besoni se ka gjasat më të mëdha për t’i fituar zgjedhjet e 11 qershorit?

Belul Beqaj: Gjasat më të mëdha i ka kandidati i koalicionit fitues, çështje tjetër është se a është kandidati më i mirë. Në situatë të konfuzionit dhe zhgënjimit të përgjithshëm nuk do të befasohesha nëse do të dalin fitues, kandidatët e koalicioneve, por edhe të Vetëvendosjes. Por, do të jetë shumë vështirë të krijohet Qeveria nëse liderët e subjekteve politike kanë nxjerr ndonjë mësim nga mashtrimet e deritanishme!

GazetaBlic: Cili mund të jetë roli i Lista Srpska-as në formimin e qeverisë së ardhshme?

Belul Beqaj: Roli Listës Srpska do të jetë, fatmirësisht, më pak i rëndësishëm në Qeverinë e ardhshme. Por shumica duhet të respektoj identitetin dhe interesin e serbëve tjerë të cilët po bëjnë përpjekje të çlirohen nga ndikimi i Beogradit.

GazetaBlic: Qeveria e ardhshme a besoni se do ta ketë realizoj mandatin 4 vjeçar, dhe jo si qeveritë e kaluar që nuk kanë arritur që ta përfundojnë mandatin e tyre të plotë?

Belul Beqaj: Politika e mirëfllitë ndërtohet nga vizioni, ndërsa këta politikanë dhe këto parti nuk janë të përgatitura për maratonë.

Shpërndaje në: