Kadri Veseli servison ‘Mercedes-in’ 27.000 euro
Kuvendi i Kosovës, i cili udhëhiqet nga Kadri Veseli, ka zgjedhur kompaninë fituese për servisimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve të markës ‘Mercedes Benz’ në vlerë prej hiç më pak se 27.000 euro, shkruan portali ‘Infokusi.com’.
Fituese e këtij tenderi një burimor, nga ana e Kuvendit është zgjedhur kompania ‘Auto Kaçandolli’, e cila shet veturat ‘Mercedes Benz’ në Kosovë. Në tender nuk kishin konkurruar kompanitë tjera, përpos ‘Kaçandollit’, raporton ‘Infokusi.com’.
Përndryshe, zyrtarët kosovarë përpos shumave marramendëse që shpenzojnë për blerjen e veturave zyrtare, dhjetëra mijëra euro në vit i shpenzojnë edhe për servisimin e tyre. Këto shpenzime të luksit ndodhin derisa Kosova është shteti më i varfër në Evropë, ku rreth 30 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri.
Një praktikë të tillë të shpenzimeve nuk e ka ndërruar as Kadri Veseli, i cili nuk ka as dy vjetë të plota prej se është zgjedhur në postin e kryeparlamentarit.
Veseli së fundi është zgjedhur u.d i kryetarit të PDK-së, pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president i Kosovës. Kadri Veseli më 7 maj të këtij viti pritet të zgjidhet kryetar i PDK-së, përderisa deri në vitin 2008 ka udhëhequr Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), ndaj të cilit ekzistojnë dyshime për vrasje gjatë periudhës së pasluftës dhe për korrupsion. /INFOKUSI.COM/



